Te Manchester City duket se po shfaqet një lloj nervozizmi.
Sikur të mos mjaftonte fillimi jo i mirë i sezonit në Premier League, por tani ‘Citizens’ po përballet me një tjetër problem që ka të bëjë me të ardhmen. Bëhet fjalë për kontratën e trajnerit Guardiola që skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe për momentin nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se po shkon drejt rinovimit
Në Angli duket se është fakt i kryer se do të jetë vetë Guardiola që do të vendosë në këtë pikë dhe nëse katalanasi do të vendosë t’i japë fund aventurës së tij te Manchester City, atëherë drejtuesit e klubit nuk do të duan të gjenden të papërgatitur dhe pa një plan B.
Për më tepë, frika te anglezët është se kjo cështje mund të ndikojë akoma më shumë te rendimenti i skuadrës që është në një situatë plot dritëhije. Guardiola tha se situata kontraktuale e tij nuk do të ndikojë në rendimentin e skuadrës së tij, por rezultatet në fushën e lojës nuk po i japin të drejtë. Për këtë arsye, Manchester City po punon për gjetjen e një zëvendësuesi të mundshëm të tij dhe sipas ‘Daily Mail’ kandidatët favoritë për të marrë vendin e Guardiolës janë Mauricio Pochettino dhe Julian Nagelsmann.
Argjentinasi është pa ekip që nga momenti kur u shkarkua si trajner i Tottenhamit dhe stili i lojës së tij pëlqehet nga drejtuesit e Manchester City. Ndërsa Nagelsmann është një prej trajnerëvëe të momentit teksa po bën një punë shumë të mirë me Leipzigun dhe tani duket se është gati të marrë frenat e një skuadre më me emër në futbollin evropian. Sidoqoftë, Manchester City do të presë vendimin e Guardiola, por jo për shumë kohë pasi të dy këta trajnerë pritet të marrin oferta të shumta për verën e ardhshme.
Top Channel