Gjykata e Lartë mban në fuqi afatin për votat në Uiskonsin

27/10/2020 17:05

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën se votuesit në shtetin Uiskonsin duhet t’i kthejnë fletëvotimet e tyre të plotësuara tek zyrtarët zgjedhorë përpara mbylljes së qendrave të votimit në 3 nëntor, në mënyrë që ato të përfshihen në procesin e numërimit.

Gjykata vendosi në favor të republikanëve, të cilët apeluan një vendim të mëparshëm nga një gjykatës i nivelit më të ulët për ta zgjatur afatin e pranimit të fletëvotimeve deri më 9 nëntor.

Afatet për fletëvotimet ndryshojnë nga shteti në shtet dhe ndërsa po shqyrtohen disa padi ligjore gjatë javëve të fundit, gjykatat kanë mbështetur përgjithësisht rregullat e vendosura nga legjislaturat e shteteve apo zyrtarët e tyre zgjedhorë.

“Askush nuk vë në dyshim se zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme në mesin e pandemisë përmban sfida serioze”, shkruajti anëtari i Gjykatës së Lartë Neil Gorsuch në opinionin ligjor. “Por asnjë prej tyre nuk nënkupton që një gjykatës i caktuar mund të improvizojë me vetë rregullat zgjedhore të miratuara nga përfaqësuesit e popullit”.

Në raste të shumta, republikanët kanë argumentuar se ka kohë të mjaftueshme që votuesit të kthejnë votat e tyre deri më 3 nëntor, ndërsa demokratët argumentojnë se zgjatjet e afateve janë të nevojshme për shkak të numrit historik të njerëzve që po votojnë nëpërmjet postës, për të shmangur grumbullimin në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Gjykatësja Elena Kagan, njëra nga tre anëtarët liberalë të Gjykatës së Lartë që votuan kundër në vendimin 5 me 3, shkruajti se vendimi “do të mohonte të drejtat e një numri të madh votuesish të përgjegjshëm, në mesin e një pandemie të rrezikshme”.

Komisioni Zgjedhor i shtetit Uiskonsin njoftoi të hënën se 1.7 milionë njerëz kanë kërkuar të votojnë nëpërmjet postës dhe se 1.34 milionë ose kanë votuar tashmë me postë, ose fizikisht.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara, mbi 64 milionë banorë ose kishin votuar me postë ose votuan herët fizikisht deri në mbrëmjen e së hënës, sipas të dhënave të Projektit për Zgjedhjet Amerikane.

Rreth 20 nga 50 shtetet amerikane aktualisht lejojnë pranimin e votave me postë pas Ditës së Zgjedhjeve, me kushtin që të jenë postuar brenda datës 3 nëntor./VOA/

Top Channel