Mosha dhe një gamë e gjerë e simptomave fillestare rrisin rrezikun e “COVID-it afatgjatë”, pretendojnë shkencëtarët.
Një studim vlerëson se çdo pacient i njëzetë është i sëmurë për tetë javë. Kërkimet e kryera nga Kolegji mbretëror i Londrës tregojnë se rreziku është më i lartë te gratë, personat me mbipeshë dhe personat me astmë. Qëllimi i studimit ishte që të identifikohet një sinjal paralajmërues i hershëm që mund të identifikojë pacientët që kanë nevojë për kujdes shtesë ose që mund të përfitojnë nga trajtimi i hershëm.
Shkencëtarët kërkuan të dhënat për të gjetur modele që mund të parashikonin se kush do të ekspozohej ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë. Rezultatet, të cilat do të publikohen së shpejti, tregojnë se COVID-i afatgjatë mund të prekë këdo, por që disa faktorë ende rrisin rrezikun.
“Pasja e më shumë se pesë simptomave të ndryshme në javët e para është një nga faktorët kryesorë të rrezikut”, tha Claire Stives nga Kolegji Mbretëror i Londrës për BBC.
COVID-19 është më shumë sesa thjesht një kollë, dhe virusi që e shkakton atë mund të prekë të gjitha organet në trup. Dikush që ka një kollë, lodhje, dhimbje koke dhe diarre, ose ka humbur ndjenjën e nuhatjes, ka një rrezik më të lartë se ai që thjesht kollitet. Rreziku gjithashtu rritet me moshën, veçanërisht pas moshës 50-vjeç, dhe është më i theksuar te gratë.
“Ne pamë nga të dhënat e hershme që burrat kanë një rrezik më të lartë të një forme më të rëndë të sëmundjes dhe vdekjes nga COVID-19, dhe tani ne shohim se gratë kanë një rrezik më të lartë për të marrë COVID afatgjatë”, tha Stives.
Asnjë problem i mëparshëm shëndetësor nuk shoqërohej me COVID afatgjatë përveç astmës dhe sëmundjes së mushkërive.
Top Channel