Pretendimet se pandemia është një gënjeshtër apo se është nisur qëllimisht, po mbledhin miliona mbështetës në të gjithë botën.
Një sondazh i ri global zbulon se miliona njerëz në botë besojnë se Covid-19 është krijuar qëllimisht, ka vrarë shumë më pak njerëz nga sa raportohet në media, apo se është e gjitha një gënjeshtër.
Ashtu si dhe teori të tjera konspiracioni si ajo që bota kontrollohet nga një “kabalë sekrete” njerëzish të fuqishëm, sondazhi i grupit YouGov-Cambridge në bashkëpunim me të përditshmen britanike Guardian, zbuloi skepticizën në rritje edhe për vaksinën e pritur të koronavirusit.
Mes konspiracioneve më popullore të Covid ishte ai për numrin e të vdekurve, për të cilin 60% e pjesmarrësve në Nigeri thanë se ishte i pavërtetë, së bashku me 40% të pjesëmarrësve në Greqi, Afrikën e Jugut, Poloni e Meksikë.
Të njëjtën gjë besonin gjithashtu 38% e amerikanëve, 36% e hungarezëve, 30% e italianëve dhe 28% e gjermanëve.
Ka prova se pandemia e koronavirusit ka nxitur disa njerëz të thonë se i besojnë më shumë ekspertët, por kjo ka shkaktuar gjithashtu një valë disinformacioni dhe lajme të rreme të përhapura nga mohuesit e shkencës dhe konspiracionistët që i përhapin ato në rrjetet sociale.
“Çdo event i frikshëm – një pandemi, nje vrasje masive – që i shkakton njerëzve humbjen e kontrollit, çon në lindjen e teorive të ndryshme, mes tyre dhe ato të konspiracionit”, thotë Stephan Lewandowsky, psikolog i University of Bristol në Britani.
“Ato i japin njerëzve njëfarë komforti psikologjik; ndjesinë se nuk janë në dorë të rastësive. Fenomeni është i dëmshëm në çdo kohë por më shumë në kohë pandemie pasi çon në injorimin e këshillave zyrtare ose shtyn në akte vandalizmi apo dhune.
Lewandowsky shton se besimi te konspiracionistët është shtuar prej mangësisë së veprimit, mesazhit të qartë dhe organizimit nga qeveritë . “Kjo është arsyeja përse duhet të ketë një politikë të qartë e të vazhdueshme, në mënyrë që të krijojë besim”.
Numra të konsiderueshëm nejrëzish besonin se virusi “është krijuar e përhapur qëllimisht” nga qeveria kineze ose amerikane, kurse në Poloi një në çdo pesë njerëz besonte se virusi është një gënjeshtër totale, e krijuar nga “forca të fuqishme”. Në të njëjtën masë kjo besohej edhe nga populalta e vendeve si Turqia, Egjipti e Arabia Saudite, ndërsa në SHBA kjo shifër arrinte në 13%.
Besimi i rremë se teknologjia 5G mund të përhapë Covid-19 kishte gjithashtu mjaft mbështetës të sondazhit, të zhvilluar në korrik dhe gusht.
Më shumë se një e pesta e të anketuarve në Turqi, Egjipt, Arabi Saudite, Nigeri e Afrika e Jugut, besonin se simptomat shkaktoheshin apo shtoheshin nga rrjeti 5G.
Ndërsa teoritë e tjera të përgjitshme të kospiracionit jashtë temës së Covid gjenin mbështetje prej 20% deri në 30%, në 10 vende përfshi Afrikën e Jugut, Brazil, Hungari e Poloni.
Në masë të ngjashme njerëzit besonin se uljet në Hënë janë të gënjeshtërta, ndërsa 20% deri në 30% e të anketuarve në Spanjë, France, SHBA, Itali e Gjermani, besonin se SHBA ka ndihmuar në realizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. 20% deri në 44% e njerëzve në 17 vende besonin se njerëzit kishin pasur kontakte me alienë.
Por teoria kryesore që gëzonte mbështetjen më të gjerë është ajo që thotë se sado që qeveritë e vendeve të botës kanë kryetarët e tyre zyrtarë, ka “një grup sekret njerëzish që kontrollojnë ngjarjet dhe udhëheqin botën së bashku”.
Kjo teori mbështetej nga 20% e të anketuarve në 20 vende duke përfshirë 28% të britanikëve, 36% të francezëve, 37% të amerikanëve, 45% të italianëve, 47% të polakëve, 55% të spanjollëve, 68% të afrikano-jugorëve dhe 78% të nigerianëve. (Guardian/Pergatiti: Andi Lamko)
Top Channel