Fiton Inter, Bayern s’ndalet/ Në Premier League supersfida Manchester United-Chelsea u mbyll 0-0

25/10/2020 01:27

Nuk ka fitues në supersfidën e Old Trafford në Premier League mes Manchester United dhe Chelseat me sfidën që u mbyll me barazimin 0-0 me skuadrat që morën vetëm nga 1 pikë. Ai që rezultoi vendimtar në këtë përballje ishte pikërisht portieri i Bluve të Londrës, Edouard Mendy i cili bëri disa pritje të mira teksa ndali gjuajtjet e futbollistëve të Djajve të Kuq. Edhe skuadra e tjetër e Manchesterit, City nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me West Hamin, ndërsa në ndeshjen tjetër Crystal Palace fitoi 2-1 në fushën e Fulham.

Në Serinë A, Interi rikthehet te fitorja. Skuadra zikaltër arriti të mposhtë Genoan në Marassi me rezultatin 2-0. Fati i takimit u vendos në pjesën e dytë kur u shënuan të dy golat e zikaltërve. Romelu Lukaku zhbllokoi rezultatin, ndërkohë që D’ambrosio mbylli përfundimisht llogaritë duke shënuar golin e dytë për Interin që e sheh veten 2 pikë larg kreut teksa pret sfidën e së hënës mes Milanit dhe Romës.

Sampdoria befason Atalantën në Bergamo teksa e mund atë me rezultatin 3-1. Quagliarella i dha avantazhin skuadrës xhenoveze, ndërsa Thorsby dyfishoi shifrat. Zapata për një moment rihapi llogaritë teksa ngushtoi rezultatin në 2-1 por Jankto shënoi golin që fiksoi rezultatin në 3-1 për Sampdorian.

Bayerni i Mynihut nuk di të ndalet dhe konfirmohet si një makinë golash. Këtë radhë skuadra bavareze shkatërroi në Allianz Arena, Eintrachtin e Frankfurtit me rezultatin 5-0. Protagonisti absolut për kampionët e Gjermanisë u bë i zakonshmi Robert Lewandowski, autor i 3 golave 2 në pjesën e parë dhe 1 në të dytin.

Shënuan emrin në listën e golashënuesve edhe Leroy Sane dhe Leon Goretzka. Fitore të pastër regjistroi edhe Borussia Dortmund që fitoi derbin e Ruhrit me Schalken 3-0 me gola të Akanjit, Haaland dhe Hummels.

Top Channel