Barcelona dhe Reali bëhen gati për “El Clasico”-n numër 245 në sfidat kompetitive, në një duel tepër të veçantë, që këtë herë do të mbahet në “tempullin” e futbollit katalanas pa praninë e spektatorëve. Takimi i ditës së shtunë është i 181-ti në historinë e ligës spanjolle dhe Barça do të bëj çmos për të përfituar nga momenti jo i mirë që po kalojnë kampionët në fuqi, për të barazuar bilancin e përgjithshëm të fitoreve, në 73-73 në ndeshjet ndërmjet tyre në Primera Division.
Është klasikja e parë për këtë sezon në kampionatin spanjoll, megjithatë të dy ekipet do të paraqiten pas humbjeve respektive që pësuan me Getafe-n dhe Cadiz-in javën e kaluar. Për herë të fundit këto dy skuadra u paraqitën në klasiken e futbollit spanjoll me humbje në prillin e vitit 2003. Asokohe Reali u mund 4-2 në “San Sebastian” nga Sociedad-i, ndërsa Barça u mposht me po të njëjtat shifra nga Deportivo La Coruna, brenda në “Camp Nou”, sidoqoftë dueli ndërmjet tyre më pas në “Santiago Bernabeu” përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1.
Të dy ekipet kanë ndryshuar dhe kanë humbur ndjeshëm atë madhështinë e pak kohëve më parë, madje edhe në aspektin e lojës në këtë fillim sezoni në shumë ndeshje të Primera Division është vërtet e vështirë për të gjetur diferenca të mëdha me skuadrat kundërshtare. Mbi të gjitha si Reali ashtu edhe Barça u mundën në të njëjtën ditë pa shënuar as gol dhe më përpara një gjë e tillë ishte regjistruar vetëm në mbrëmjen e 6 majit të vitit 2000, pra thjesht një herë të vetme në 30 vitet e fundit.
Klubi blaugrana e nis këtë duel me një trajner të ri, por me petkun e ekipit favorit. Ronald Koeman është holandezi i pestë që drejton Barçën në “El Clasico”, pas trajnerëve të tillë si Rinus Michels, Johan Cruyff, Louis Van Gaal dhe Frank Rijkaard, gjithsesi tekniku i vetëm portokalli që ia ka dalë për të triumfuar në klasiken e futbollit spanjoll që në vitin e tij të debutimit është Louis Van Gaal. 57-vjeçari ka qenë pjesë si futbollist në plot 14 “El Clasico”. Ish-kapiteni i skuadrës blaugrana ka shënuar madje edhe 5 gola dhe ka një bilanc pozitiv në këto sfida, duke fituar 6 nga 14 ndeshjet e zhvilluara.
Një ndeshje që mund të ndryshojë vërtet shumë gjëra, por mbi të gjitha triumfi në një duel të tillë mund t’i japë një kthesë të fortë sezonit, si për njërën ashtu edhe për tjetrën skuadër. Ndryshe nga Reali që ka një mal me probleme ekipi katalanas do të zbresë në fushë pak a shumë i plotë. Është riaftësuar në kohë dhe është stërvitur me grupin edhe mbrojtësi i krahut Jordi Alba, kështu që të vetmit që mungojnë janë portieri Ter Stegen dhe qendërmbrojtësi Umtiti.
Barcelona e hodhi shpejt pas krahëve disfatën me Getafe-n, teksa mundi Ferencvaros-in në “Camp Nou” me rezultatin e thellë 5-1. Në mesjavë trajneri holandez u mundua ta nxisë dhe ta motivojë kapitenin, duke deklaruar se Lionel Messi është në gjendje të japë akoma më tepër në këtë fillim kampionati, për skuadrën blaugrana. Pas Realit mesjavën e ardhshme Barçën e pret një mision tepër i vështirë në Torino, ku klubi katalanas nuk ka fituar kurrë në histori ndaj Juventusit. Trajneri Ronald Koeman ka marrë në mbrojtje yllin argjentinas, përsa i përket rendimentit të ulët në shënimin e golave, sidoqoftë ndonëse nga pika e bardhë e 11-metrave ishte pikërisht Leo lojtari që zhbllokoi shifrat në mesjavë.
Për më tepër 33-vjeçari nga Rosario i ka shënuar 26 herë Realit në “El Clasico”, plot 8 gola më shumë se dyshja “merengues” Alfredo Di Stefano – Cristiano Ronaldo. Në krahun tjetër kampionët në fuqi janë të shtrënguar për të reaguar, pikërisht në shtëpinë e armiqve të tyre të përbetuar. Presioni është rritur ndjeshëm mbi të gjithë dhe nga mesjava tifozët vlerësuan vetëm dyshen Courtois – Vinicius, ndërsa më të kritikuarit ishin Marcelo, Jovic, Varane dhe Eder Militao, ndërsa në një sondazh të Marca-s me afërsisht 30.000 lexues 62% ia vunë fajin lojtarëve dhe vetëm 27% e tyre drejtuan gishtin te trajneri Zinedine Zidane.
Tre përballjet e fundit në Katalunjë janë mbyllur në barazim, sfida e fundit madje pa gola fare, ndërkaq në fazën e dytë në “Santiago Bernabeu” gjithçka u vendos në 20 minutat e fundit në favor të ekipit madrilen, falë golave të realizuar nga Vinicius Junior dhe Mariano Diaz. Zinedine Zidane dhe Ronald Koeman nuk janë përballur asnjëherë si lojtarë në fushë, megjithatë kjo do të jetë sfida e parë ndërmjet tyre edhe në stol. “El Clasico” më e heshtur në histori është programuar për t’u luajtur në orën 16:00 në stadiumin “Camp Nou”.
Top Channel