Pas një nisjeje sezoni të magjishme, me katër fitore në po kaq ndeshje dhe për me tepër njërën me rezultatin 7-2 ndaj Liverpoolit kampion në fuqi, Aston Villa ka pësuar humbjen e parë në kampionat, pasi u mposht në shtëpi nga Leeds United.

U desh një “i çmendur” si Bielsa dhe Leeds-i i tij që të dominonin dhe te triumfonin me rezultatin e pastër 0-3 në “Villa Park”, për të kthyer vendasit me këmbë në tokë dhe për t’u kujtuar se misioni i vërtetë këtë sezon do të jetë mbijetesa.

Leeds vinte pas humbjes minimale 0-1 në shtëpi përballë Wolves dhe ishte në kërkim të fitores që mungonte që prej 27 shtatorit, ndaj që në fillim u shfaq kërkues dhe mori kontrollin e lojës.

Megjithatë mbrojtja e Aston Villës kishte pësuar vetëm dy gola ndaj Liverpoolit, në 4 ndeshjet e para dhe edhe në pjesën e parë ndaj Leeds-it konfirmoi se është në formë të mirë, duke mbajtur larg rrezikun.

Por në pjesën e dytë ishte sulmuesi 27-vjeçar anglez Patrick Bamford që gjeti “thembrën e Akilit” të mbrojtjes vendase dhe shënoi tre herë brenda 19 minutash, duke vulosur suksesin e skuadrës së Bielsës në këtë transfertë.

Pas kësaj mbrëmjeje, Aston Villa mbetet në vendin e dytë me 12 pikë dhe Leeds United ngjitet në vendin e tretë me 10 pikë, aq sa ka edhe Liverpooli kampion, ndërsa sulmuesi Bamford shkon në kuotën e 6 golave sezonalë.

Top Channel