Conte: Nga jashtë duan të “turbullojnë ujërat”, por jemi në rrugën e duhur

23/10/2020 23:29

Ndonëse të gjithë prisnin shumë më tepër në fushën e lojës, Interi i Antonio Contes nuk ia ka dalë të marrë rezultatet e duhura, pasi në 5 ndeshje zyrtare mes kampionatit dhe Ligës së kampionëve, ka fituar dy, ka barazuar dy të tjera dhe ka humbur një.

E nëse sulmi i udhëhequr nga Lukaku e ka bërë më së miri punën e tij, duke shënuar 13 gola, 5 nga të cilët i ka shënuar vetë belgu, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mbrojtjen, që këtë fillim sezoni fut ujë nga të gjithë anët. Zikaltrit kanë pësuar plot 10 gola, me një mesatare prej 2 golash për ndeshje, shifra këto që nuk kanë të bëjnë aspak me një skuadër që synon trofe, megjithatë ndryshe nga kritikët, trajneri Antonio Conte nuk duket aspak i shqetësuar.

“Është e vërtetë që kemi pësuar më shumë sesa duhet dhe shpesh jemi ndëshkuar nga pasiguritë tona apo mungesa e vëmendjes. Megjithatë skuadra po luan mirë në fushë dhe kjo më kënaq e më qetëson. Në të 5 ndeshjet zyrtare kemi dominuar, por për të shkuar te fitorja, ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë. Ne nuk na ka ecur shumë me finalizimin apo disa momente shpërqendrimi, por jemi në rrugën e duhur, pasi skuadra po rritet dhe po luan mirë në fushë”, u shpreh Conte.

Trajneri i Interit solli në vëmendje Liverpoolin e Jurgen Klopp, që më herët luante mirë e nuk fitonte, ndërsa shtoi se edhe zikaltrit janë rritur shumë në aspektin e lojës dhe se të gjithë janë të qetë e të bindur që po ecin në rrugën e duhur. “Dikush nga jashtë dëshiron të turbullojë ujërat, por ne jemi të qetë dhe të bindur që po ecim në rrugën e duhur. Donim të ndërtonim një skuadër që luan bukur dhe e kemi bërë tashmë, ndaj duhet të punojmë në aspektin e marrjes së rezultatit. Nuk është e thjeshtë, pasi Liverpool i Jurgen Klopp luajti bukur për 4 sezone, pa fituar asnjë titull, megjithatë ne duhet të përmirësohemi disi në aspektin mbrojtës dhe jemi të sigurt që rezultatet do të vijnë”, deklaroi tekniku zikaltër.

Top Channel