Bashkimi Evropian ende nuk e di se kur do të vazhdohet me takimet mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel.

I pyetur se kur mund të ndodhë takimi i radhës, pasi tash e disa javë nuk ka pasur takime, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë se “puna e të dërguarit të posaçëm (për dialogun) Miroslav Lajçak dhe ekipit të tij po vazhdon dhe është një punë e ngjeshur. Sapo të kemi ndonjë datë për të shpallur për takimet e radhës ne do ta bëjmë këtë”.

Zëdhënësi i BE-së nuk ka dashur të komentojë as takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilin u diskutua rreth dialogut dhe situatës në Kosovë.

Ai nuk u përgjigj as në pyetjen se a ka qënë i ftuar Miroslav Lajçak për të folur në atë takim apo jo.

“Për aranzhime rreth takimeve, për diskutimet, duhet të adresoni pyetjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për hollësi. Ne nuk kishin paralajmëruar asgjë dhe nuk mund të komentojmë nga ana jonë” ka thënë ky zëdhënës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte rifilluar më 16 korrik dhe ishin zhvilluar disa takime, si në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, ashtu edhe mes delegacioneve në nivel ekspertësh.

Por, për më shumë se një muaj nuk ka pasur takime të reja. Një prej shkaqeve ishte refuzimi i Kosovës për të biseduar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe insistimi i Serbisë që të bisedohet për këtë temë si prioritet.

Për të përgatitur takime të reja, në Kosovë dhe Serbi para një jave ka qëndruar i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog dhe çështje tjera të rajonit, Miroslav Lajçak.

Por deklarata e tij se mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës kishte shkaktuar shumë reagime në Kosovë. rel/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA