Në fillimet e formimit tonë artistik na kanë mësuar të përdorim një model, të cilin jemi munduar shumë për ta imituar, sa të qe e mundur më besnikërisht. Në këtë përpjekje për imitim ne kemi vënë në përdorim të gjitha aftësitë tona.
Por, kur kjo përpjekje për imitim filloi të dobësohej dhe arti filloi të bëhej, sa i takon pamjes, gjithmonë e më pak kompetencë e vetëdijes dhe gjithmonë e më shumë aftësitë tona të bëheshin automatike, dora-dorës që automatizmi shtohet dhe fillojnë të ngjiten në skenë shkathtësitë, shprehitë dhe zakonet, mjeshtëria jonë artistike ndryshonte gjithmonë e më shumë nga modeli, aq sa, më në fund, secili prej nesh, edhe pse fillimin e ka nga e njëjta pikënisjeje (modeli), vjen një ditë dhe ecën në tragë të ndryshme nga tjetri.
Fakti që secili ka një mënyrë vetjake pune dhe krijimi, e cila me kalimin e kohës merr, gjithmonë e më shumë formën e vet, shpjegohet nga psikologjia e artit me forcën shformuese, jo sipas modelit. Kjo forcë është vetë nënvetëdija që në formën e energjisë (me energji kuptojmë rrjedhë force) ngërthehet me automatizmat dhe projekton në pamjen e artit tendencat dhe prirjet e psikikës, prandaj dhe arti bëhet më vonë një provë psikodiagnostikuese e personalitetit, shumë më tepër analitike dhe e pasur me të dhëna se sa provat e tjera psikodiagnostiguese të përdorura gjatë rrugës sonë artistike. Forca shformuese vërehet që herët, që me vijëzat e para. Dhe kjo ndodh sepse ai habitet nga përpjekja për imitim. Kemi parë se diçka e ngjashme i ndodh atij që, pasi e ka mësuar artin nga automatizmat, përpiqet të fshehë veprimin e tij, si për shembull në letrat e para shpesh të panjohura.
Edhe në këtë rast forca shformuese i lë gjurmët e saj dhe është pikërisht ajo që, duke bërë që argumenti të ndryshojë në mënyrë karakteristike nga një individ tek tjetri, zbulon prej saj personalitetin. Ai që në fjalën e tij të zakonshme ripërsërit shumë besnikërisht modelin, zbulon me këtë gjë se jo vetëm ka një forcë shformuese të dobët, por edhe personalitet pak të fuqishëm, ashtu siç është edhe pasiv në mjedisin e jashtëm dhe vetëkuptohet edhe në art. Ndërsa ai që ka një fjalë dhe formim shumë larg modelit, tregon se ka, paralelisht me një forcë të dukshme shformuese, edhe një personalitet tërë spikamë, i cili i kundërvihet me shumë fuqi veprimit të botës së jashtme, ndaj të cilit tregohet tejet aktiv. Forca shformuese aq më shumë del në pah sa më i vogël është kontrolli i vetëdijes mbi fjalët dhe argumentet dhe prandaj aq më automatikisht kjo pamje formohet…
S ikur të bëja një ekspozitë personale me fotot e roleve të mia, nuk do të qe keq. Pa ndonjë skemë, edhe pse ndoshta të çuditshme. I kam tmerr skemat.
E di që do të vinin shumë miq e mikesha, aktorët, regjisorët dhe… Po edhe shoqet e mia të vjetra tipografe. Janë gra energjike dhe gati të paepura ato. Kam ikur që njëzet vjeç nga puna në tipografì dhe, e veshur ashtu thjesht, po zyrtarisht mirë dhe e mbajtur me tërë seriozitetin e duhur. Ku janë tipografet e mia? Si nuk luajta njëherë fytyrën time të asaj vajze të mbyllur e të turpshme që bënte rrugën nga shtëpia në punë me një ngut të papërmbajtur? Më detyrove të rrëfehem sonte. Kaq thjesht? Duket që je profesionist. I përmbajtur. Mos ke kaluar nën zdrukthin e Sherit? Ah, Sheri Mita! Ç’zë melodioz! I këndshëm. I palodhur. Këto fjalë tingëllojnë si slogane, por sot ama, se ato kohë ne ishim ikona… Apo mbetëm të tilla? S’e di. S’e pashë mirë provën tuaj te Rrënjë të thella. Liri Lushi, Sokol Progni, Foto Vogli, një trio e bukur. Ç’punë do të kishin përpara! Mrekulli! Sheri erdhi dhe u ul në karrigen bosh. U mërzite? Ajo qeshi teksa po shihte e trembur Ilir Pipirinë që po largohej me hapa të gjatë dhe me siguri do ta mbante vrapin drejt lumit. Ne rrinim në verandën e ish-turizmit të Beratit. Prisnim të vinte Drita, regjisorja e dramës, ardhur enkas nga Tirana. Dukej se kishte ndodhur diçka e rëndë. Sidoqoftë, Sheri e njihte mirë Ilirin dhe e dinte që bënte kundërpërgjigjen e thekur të ndonjë batute nga Ardian Cerga, aktori tjetër fin i teatrit.
Djem të rinj, sapo mbaruar shkollën. Ah, të isha edhe njëherë në këtë moshë! E ç’do të bëje, Violeta? E ç’do të bëja tjetër veç atyre që kam bërë. Tartufi, Rrënjë të thella, Mikroborgjezët, Orët e Kremlinit, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Morali i zonjës Dulska, Arturo Ui, Lumi i vdekur, Karnavalet e Korçës, Zonja nga qyteti, 14 vjeç dhëndër, Epoka para gjyqit, Borgjezi fisnik, Fytyra e dytë, Pallati 176, Kati i gjashtë… Role pa fund. Edhe në film. Çfarë rolesh! Drithëroj nga emocionet. Po i kam harruar të gjitha përveç «Fytyra e dytë» dhe «Zonja nga qyteti», Ollga. Ama secili rol është një histori e gjatë, më vete. Tek Fytyra e dytë duhet të shihja kurdoherë dritë, qoftë kjo edhe e mekur. U bë edhe imja e dytë, si në ato legjendat e bukura që mezi tregohen. Përgjigjja vinte si erë dhe tani por edhe ikte si bijë e erës, si stuhi. Duhej të isha e qeshur, të dija të ledhatoja, t’u jepja të gjithëve buzëqeshje marramendëse. Çudira të thekshme, po edhe të famshme… Në mes të interpretimit kisha mbetur e kapur në çarkun e trishtimit, ardhur befas. Harrova. Papritur harrova. I dija gjithë truket për të dalë nga situata, por edhe ato m’u shuan. Isha gati të qaja, të ulërija. Ja edhe mrekullia ndodhi. Harrova radhën, sikur m’u shua gjithçka. Duhet të isha zverdhur në fytyrë. Dhe në skenë isha vetëm, pesëmbëdhjetë sekonda të paharruara. Si ishte e mundur? Një mal me role…
Por një zë buroi nga nënskena: fytyra e dytë, afrohu! Drita e famshme ndriçoi përbrenda, zbrita shkallët dhe më njërën dorë tërhiqja anash fustanin e bukur për të zbuluar këmbët. Ia dola? Bëra vetëm lëvizje për të fituar siguri. Një shenjë, një stigmë e asaj që vjen si me rrëmujë, diçka prej kotësie. «Jeta është e mërzitshme,» thashë, «gri, përsëritje e dëmshme…» Kaq duhej dhe i dhashë trupit fort. Edhe pak e humba ekuilibrin. Edhe ajo më duhej! Bukuria dhe dëlirësia, më hodhën gjak të tepërt në fytyrë, mbeta pa e bërë si duhet Hirushen, sikur papritur do ta gjeja veten në spital gati duke dhënë shpirt. Ja këtë gjendje më dhuroi ndoshta lodhja me «Fytyrën e dytë». Ka humbur me sa duket gjaku i sentencave të vjetra, alternativa e jetës, larmia e pafund e së keqes dhe e së mirës, të dish si të bësh më të mundimshmen. Por drama do të mbaronte me aq? Nuk e di. Veç di që atë çast nuk e harrova kurrë. Tërë jetën. U duk sikur drama Fytyra e dytë më dhuroi edhe mua një fytyrë e dytë. Do t’më lehtësonte filmi, reklama, jeta jashtë, parku i madh… Ç’të bëja? Nuk ndodhi kurrë më. ..
.Do të kishte qenë vërtet e tmerrshme. E shihja të qeshurën e saj dhe habitesha me të. Fytyra e dytë ishte maska. Kurse në rrëfimin e saj Violeta Manushi qëndroi pa lëvizur një çast dhe vuri buzën në gaz. I ngriu në sy diçka tronditëse. U bë shkak fytyra e dytë e teatrit që të mos krijoja familjen time të ngushtë. Më dukej se në marrëdhënie vija maskë dhe nuk isha vetvetja. Të duket si për të vënë duart në kokë? Fundja, të drejtë ke. Por ama jo vetëm loja në një dramë a komedi duan fytyrën e dytë, po edhe në jetë është e njëjta maskë. Ja, këtë që dinë të gjithë kam zbuluar. Njerëzit nuk janë vetvetja. Hyn dhe në shtëpitë tona ku si një dashnore dhe ku si dashnor. Me fëmijët që ikin shpejt dhe kthehen vonë e më vonë. Me vetminë e kobshme.
Eh, vetëm kemi ardhur në këtë botë dhe vetëm do të ikim… Jetë e rëndomtë. Batërdia e moralit, si një gërmadhë që na ha shpirtin, budallallëku, sinqeriteti i shtirë, skandalet, pa ndjerë gjë prej gjëje shpirtërisht, përplot nxitje dhune, përpëlitje si të përshtatemi më mirë. Dhe kjo po ndodh. A ka dashuri? Belbëzim i drithëruar buzësh që digjen. Nuk besoj. Edhe prapë më duhet të besoj. Eh, në fund, sigurisht që del dielli. E qeshura e saj e zakonshme. Ku e kish lënë fytyrën e dytë? E kërkoi dhe e kërkoi atë mbrëmje në tarracën e hotel Turizmit në Berat dhe nuk e gjeti dot. Harroi sërish që e pat vënë mbi të parën prej një kohe të gjatë. Dhe ashtu mbeti, bashkë me të…
Nga Xhevair Lleshi
Top Channel