Presidenti Duka pas shortit: Uroj shumë të shkojmë në Botëror, jo vetëm për lojtarët dhe Federatën, por për…
Jude Bellingham është vënë në qendër të kritikave në Angli pas një episodi të pazakontë gjatë ndeshjes Angli–Shqipëri, e fituar 0-2 nga skuadra e Thomas Tuchel.
Mesfushori i Real Madridit, i cili u rikthye titullar pas ndeshjes ndaj Serbisë, u vlerësua si një nga lojtarët më pak ndikues në pjesën e parë — por ajo që shkaktoi bujë ishte një gjest jashtë fushës së lojës.
Sapo arbitri sinjalizoi fundin e pjesës së parë, kamera kapën momentin kur Kristjan Asllani i kërkoi Bellingham-it të ndërrojnë fanellat, me anglezin që pranoi menjëherë. Ky veprim, i kryer në mes të ndeshjes, irritoi një pjesë të mirë të tifozëve anglezë, të cilët shpërthyen në rrjete sociale.
“The Sun” shkruan se fansat u habitën dhe u zemëruan, duke komentuar:
“Bellingham po ndërron fanellën në pushim? Kjo bëhet në fund të ndeshjes!”
“Të paktën prit deri në fund… loja ka marrë fund.”
“Këtë gjë nuk e dua në futboll, hiqe si zakon.”
Pas ndeshjes, trajneri Thomas Tuchel u pyet për episodin dhe e komentoi duke theksuar se nuk e pëlqen personalisht këtë praktikë në pushim loje, por shtoi se “kohët kanë ndryshuar” dhe se futbollistët sot e shohin ndryshe etikën e fushës.
Ndeshja shënoi edhe rikthimin e Bellingham si titullar me Anglinë pas qershorit, pasi lojtari kishte munguar në grumbullimin e mëparshëm për shkak dëmtimi, situatë që kishte rindezur zërat për një krisje në marrëdhënien e tij me Tuchel. Kritikat e vjetra të trajnerit, i cili më herët kishte cilësuar disa sjellje të 22-vjeçarit si “të papranueshme”, vetëm sa shtuan zhurmën rreth këtij episodi.
Në fushë, Anglia mori fitoren dhe tre pikët, por jashtë saj, veprimi i Bellingham vazhdon të bëjë jehonë në mediat britanike.
Top Channel