Durimi- Girogio Vasari 1542

Libri ‘Jetët e Artistëve’ i Xhorxhio Vazarit përfaqëson veprën më të madhe dhe më të rëndësishme të epokës rreth artit të Rilindjes italiane. Përmbledhjet e Vazarit, rreth këtyre jetëshkrimeve gëlojnë nga faktet, vlerësimet dhe anekdotat argëtuese rreth jetës së disa qindra artistësh, duke shkuar nga figurat më të mëdha si Xhioto, Mazaçio, Leonardo, Rafaelo, Mikelanxhelo, e deri tek ato të artistëve që sot njihen vetëm nga specialistët.

Kjo vepër, e lexuar përgjatë shekujve, si një sfond për të kuptuar artin e madh të kësaj periudhe, përmban gjithashtu një teori jashtëzakonisht influencuese rreth zhvillimi të artit të Rilindjes. Vazari i shihte fillesat e shekullit XIII dhe XIV, të përfaqësuara nga Çimabue dhe Xhioto, si fëmijërinë e artit, e pasuar nga një energji rinore, e cila do të merrte trajtë në vepra të atilla si ato të Donatelos, Bruneleskit, Gibertit dhe Mazaçios, dhe më pas në periudhën e pjekurisë së përsosmërisë, e sunduar nga figurat titaneske të Leonardos, Rafaelos dhe Mikelanxhelos.
Këto biografi sillen të rishikuara dhe të zgjeruara nga i njëjti autor, bashkë me portretet dhe një shtesë të “Jetëve” të artistëve ende gjallë dhe atyre të vdekur midis viteve 1550- 1567.

Disa fjalë për autorin

Giorgio Vasari u lind në një familje të thjeshtë në qytezën e vogël të Arecos, sot më se e famshme për ciklin e mrekullueshëm të afreskeve të Legjendës së Kryqit të Vërtetë, e punuar në katedralen kryesore. Sipas vetë Vasarit në familjen e të parëve të tij kish patur të paktën një pocar. Areco ishte pjesë e Republikës fiorentinase dhe ky fakt e ndihmoi Giorgion e ri të depërtonte relativisht lehtë në rrethet artistike të kryeqytetit. I ati e futi më pas si nxënës në ndonjë artizan në Firence. Në ndërtimin e miqësive të mira mes artistësh Vasari arriti të ndërtojë emrin e tij si artist duke punuar nëpër qytete të ndryshme të Italisë.

Të dhëna për librin

Shtëpia Botuese: Fan Noli (2020)
Botuar në: 2020
Gjuha e publikimit: Shqip
ISBN-13: 978 9928 291 76 9
Nr. faqe: 678

Top Channel