Nga Ardi Pulaj

Dy shtete në dy kontinente të ndryshme. Gjeografikisht larg dhe me kultura ndryshe, por në një pikë të historisë, bashkohen në ideologji.

Shqipëria dhe Kina, miqësi e pashoqe mes politikës dhe popujve, investime gjigante kineze, që pasohen nga mospërputhje ideologjish deri në një ftohje, si dimri i ashpër i Pekinit dhe rinormalizim marrëdhëniesh në një tjetër epokë, kur Kina është bërë fuqia e dytë botërore ekonomike dhe kur Shqipëria ka lënë pas sistemin diktatorial; është anëtare e NATO-s, partnere e SHBA dhe synon të bëhet një ditë vend i BE-së. Pavarësisht oshilacioneve, apo miqësisë me ftohje të përkohshme, ku kanë qenë dje dhe ku qëndrojnë sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës.

Një dokumentar, i risjellë në jetë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filimit, shfaqur në “Exclusive” në Top Channel, është fryt i punës së një ekipi të madh shqiptaro-kinez të udhëhequr nga regjisorët Endri Keko dhe Ho Y Shen, që në pikun e marrëdhënieve mes dy vendeve, sollën këtë bashkëprodhim në vitin 1964. Është një përmbledhje e vetëm entuziazmit dhe një kohe të artë të një marrëdhënieje sa të largët gjeografikisht, aq të afërt ideologjikisht.

 

“Shqipëria ishte nga të paktat vende mike të Kinës që me forcë në OKB ku ishte anëtare hodhi poshtë të famshmen teori të dy Kinave, të iniciuar nga SHBA si dhe donin që me çdo kusht që edhe Tajvani edhe Kina të ishin pjesë e OKB-së. Republika e Shqipërisë ka disa iniciativa në OKB, por jo vetëm atje, në mbrojtje të të drejtës siç e quante qeveria shqiptare legjitime të vendosjes së të drejtave të Kinës në OKB dhe ka qënë një politikë konstante e cila u kurorëzua më 25 tetor 1971 në të famshmen rezolutë shqiptare që bëri të mundur në një votim në Asamblenë e Përgjithshme që RP Kinës të pranohej me të drejta të plota në OKB dhe të përjashtonte Tajvanin si uzurpator i të drejtave të Kinës në këtë organizatë,” thotë Dr. Gjon Boriçi, studiues në Institutin e Historisë dhe ekspert i marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

“Qeveria shqiptare e njohu RP të Kinës dhe vendosi marrëdhënie me të menjëherë pas shpalljes si republikë në ’49, por konkretisht marrëdhëniet filluan në ’54. Vizita e Enver Hoxhës në ’56 në kongresin e PKK shënoi një etapë të re pas së cilës njohën një dinamizëm të ri marrëdhëniet. Shkëmbimet tregtare u rritën në mënyrë të gjerë,” thotë sih-ministri i Jashtëm dhe historian Paskal Milo.

“Shqipëria ka një pozitë të lakmueshme gjeopolitike. Siç e quante Kina në atë kohë është në avantpostin e vendeve socialiste në luftën kundër imperializmit dhe perëndimit. Ajo kërkonte të krijonte rrugën e saj në drejtimin e socializmit. Te Shqipëria gjeti urën dhe mundësitë e duhura që politikën dhe idetë e saj, të Mao Ce Dunit, të reflektoheshin jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Nuk janë të pakta rastet kur në OKB zëri i Shqipërisë ishte zëri i Kinës,” shprehet Boriçi.

“Në qershor ’60 në Bukuresht u mbajt kongresi i PP rumune. Enver Hoxha nuk shkoi por dërgoi zëvendësin e tij në parti, Hysni Kapon. Filloi të diskutohej cështja e marrëdhënieve mes PK të BS dhe Kinës, divergjencat që kishte disa kohe që ishin shfaqur për probleme të lëvizjes komuniste botërore por edhe të situatës ndërkombëtare. H.Kapo, nuk u bashkua në dënimin që sovjetikët donin t’i bënin kinezëve për cështjet në diskutim. Hrushovi nuk e priste, u surprizua dhe zemërua në të njëjtën kohë. Ishte një ngjarje e papritur, kjo u reflektua në marrëdhëniet mes BS dhe Shqipërisë, partive respektive e kështu fillon rritja e tensionit shqiptaro-sovjetik. Në këtë kuadër sa më shumë rritej ky tension, aq më shumë filloi afrimi Shqipëri-Kinë,” shton Milo.

“Shqipëria ishte një vend që jetonte me ndihmat dhe kreditë nga të gjitha vendet e kampit socialist. Vetëm nga Kina nga ‘54-’60 janë gati 336 mln rubla dhe sipas hulumtimeve të mia nga RP e Kinës nga ky vit deri në ‘75 që është dhe kredia e fundit e Kinës për Shqipërinë shifrat shkojnë në 6 mld juanë kinezë edhe pse në disa dokumente kam gjetur që vetë kinezët pretendojnë që kanë sjellë në Shqipëri deri në 10 mld. Mua nuk më rezulton një shifër e tillë nga hulumtimet e mia, por janë gati 4 miliardë dollarë të marra vetëm nga ndihmat dhe kreditë nga RP e Kinës nga ‘54-’75. Sigurisht që Shqipërisë I interesonin të gjitha këto. Marrëdhëniet me Kinën I shpëtuan pushtetin Enver Hoxhës. Pas prishjes së madhe me BS fati i E.Hoxhës dhe popullit shqiptar ishte që BS ishte në acarim të plotë dhe në përplasje të plotë me RP të Kinës, çka u vu re në mbledhjen e Bukureshtit të qershorit ‘60 dhe ju vu kapaku në mbledhjen e Moskës të nëtorit të 81 partive komuniste ku çarja sovjeto-kineze ishte e plotë,” sqaron Dr. Boriçi.

Ai shton: “Që nga ‘56 kemi të bëjmë me shumë marrëveshje të nënshkruara Shqipëri-Kinë, ku sigurisht një rëndësi e veçantë ju dha marrjes së kredive për ndërtimin e industrisë së rëndë dhe pse vetë kryeministri Çu En Lai gjatë vizitave që ka bërë në Shqipëri ja thoshte disa herë E.Hoxhës që për të ndërtuar një industri të tillë do u duhen jashtëzakonisht shumë para dhe një popullsi e madhe. Imagjinoni një shtet me 1.6 mln banorë që ishte Shqipëria në atë kohë të ndërtonte një industri të tillë nga Shkodra në Sarandë. Ishte e paimagjinueshme me çfarë do I mbushë këto uzina dhe fabrika të stërmëdha që u investuan nga Kina. E.Hoxhës nuk i prishte asnjë punë, mjaft që të ruante pushtetin e tij. E njëjta gjë ishte dikur me Jugosllavinë, edhe me BS e tani edhe me RP të Kinës. Çdo shtet që sillte kredi për mbajtjen në këmbë të ekonomisë së shkatërruar shqiptare do të thoshte mbajtje në këmbë e pushtetit të tij.”

Në një kohë që rriteshin marrëdhëniet tregtare me Kinën, me qindra shqiptarë gjatë epokës së artë të lidhjes Shqipëri-Kinë, shkuan në vendin e largët për specializim e arsimim; janë dhe qindra-mijëra specialistë kinezë dhe më pak studentë që kanë ardhur për të vënë në punë gjithë veprat madhore që u ndërtuan në Shqipëri me ndihmën e kinezëve. Kjo solli një lloj afrimiteti mes shqiptarëve dhe kinezëve.

“Ishte viti 1974 kur ne një grupi studentësh na u tha që mund të shkonim për studime në Kinë. Kina atë kohë ishte një shtet që mbështeste Shqipërinë dhe lajmet që përcilleshin ishin të tilla që po mbështeste në disa fusha në ekonomi, por pa ditur jetën e brendshme të Kinës. Para se të shkoja në Kinë nuk kisha informacion se si ishte jeta në Kinë.   Pekini ishte një qytet shumë i dhe një qytet shumë i madh me shumë banorë shtrirë por shumë larg pamjes që ka sot. Kishte pak ndërtime të larta. Si cdo qytet kishte ndërtimet e hershme por të ngritura sipas stileve të qëndrueshme dhe me konstruksion të vëçantë, ndërsa universitetet ishin në periferi të qytetit,” tregon Bardhylka Kospiri, ish-studente në Kinë.

“Për Kinën kam dëgjuar herët kuptohet sepse unë k përkas një brezi që ka përjetuar miqësinë tradicionale mes dy vendeve. Kam dëgjuar që kur kam qenë fëmijë, në moshën 10 vjeçare kur vinin grupet kineze dhe që shpërndanin stemat e famshme. Kjo ka qenë hera e parë që kam dëgjuar për Kinën,” thotë Iljaz Spahiu, sinolog dhe kryetar i shoqatës kulturore Shqipëri-Kinë dhe ish student në Pekin.

“Ishim si europianë që shkonim nga Shqipëria, pa njohur edhe Europën tërësisht sepse ishim të izoluar dhe nuk kishim vizituar Europën por shkonim me përjetimin e një shteti në Europë. Dhe kuptohet që shtetet aziatike kanë mënyra të tjera të jetesës, kulturës; historinë e tyre ne e njihnim deri diku, sepse mësohej historia e Kinës, por ishte ndryshe të mësoje e ndryshe të shikoje aty. Kështu që duhet të ambjentoheshim me të gjithë realitetin e një shteti si ishte Kina. Kur vajtëm atje ishte dimër dhe përshtypjet e para ishin klima e ftohte dhe e thate dhe veshjet në Pekin, shumë mbrojtjëse dhe të thjeshta. Ishte koha jo shumë larg revolucionit kulturor kinez. Kinezët ishin në peshën e ndryshimeve. Pjesa tjetër ishte jeta studentore që do bënim aty,” tregon Kospiri.

“Atëkohë nuk ishim të dalë, e botën nuk e njihnim. Shqipëria ishte e izoluar. Shkonim në Kinë gjatë kohës së fundit të revolucionit kulturor, që po ashtu ishte e izoluar. Nuk mund të them që patëm habi. Përshtypja ishte se aty ndryshonte çdo gjë, që nga ushqimi, nga mënyra e veshjes, arikitektura e qyteteve, mënyra e komunikimit, mentaliteti, sjellja e kolegëve e pedagogëve kinezë. Ishtë  gjithçka ndryshe. Ishtë diçka që në  nuk e imagjinonim. Gjetëm një botë tjetër të cilës ju përshtatëm falë edhe përkushtimit që gjetëm atje,” tregon Iljaz Spahiu.

“Qeveria kineze i dha një ndihmë të madhe Shqipërisë gjatë viteve ’60 dhe thuajse ’70. Pavarësisht se mund të ketë patur ulje dhe ngritje, tendenca ishte shumë pozitive deri në shkurt të vitit ’72, kur Kinën e viziton presidenti i SHBA, Ricard Nikson. Në fakt fërkimi kishte filluar disa muaj përpara. Cun En Lai thirri në takim ambasadorin shqiptar në Pekin në atë kohë, Xhorxhi Robo, të cilit më 17 korrik i dorëzoi një letër për udhëheqjen shqiptare. U ngarkua E.Hoxha të shkruante letrën, që iu dërgua Mao Cedunit dhe KQ të PKK ku thuhej se ne as nuk jemi dakord dhe as nuk ju mbështesim në këtë akt që keni kryer,” thotë ish kryediplomati shqiptar Paskal Milo.

“Kina pas vdekjes së Mao Ce Dunit filloi një program të gjerë reformash dhe hapjeje nën lidershipin e Ten Siao Pinit, reforma që bënë që Kina nga ‘78-2010 të kishte rritje ekonomike vjetore prej 9.7%, më larta se çdo vend tjetër në botë. Ndërkohë që Kina u hap, pikërisht në ‘78 Kina dërgoi letrën e famshme të 7 korrikut që I tha Shqipërisë, ndërpresim çdo bashkëpunim ekonomik, financiar, ushtarak dhe politik,” shton Dr. Gjon Boriçi.

“Pas gjuhës unë kalova në Universitetin Tsinghua, një universitet prestigjoz që ka qënë dhe është. Isha me fat që isha në politeknik. Aty studiova inxhinieri civile dhe më tej koincidoi që kthimi në Shqipëri ishte pikërisht sepse po ndërpriteshin marrëdhëniet. Kemi qenë grupet e fundit që udhëtuam nga Kina në Shqipëri dhe që u ndërprenë marrëdhëniet. Ambasada na vinte në dijeni për informacionet, zhvillimet dhe informacionet që ishin të domosdoshme për ne si studentë. Sapo u ndërprenë marrëdhëniet kuptohet që ishim shqiptarë të dërguar në Kinë nga shteti shqiptar në kuadër të marrëdhënieve miqësore për të përfituar. Kuptohet kur ndryshon situata ndjehesh I çoroditur por kishte hapësira për të folur dhe gjëra të mira. Sjell në mend, eksperiencën e punës që na mësoi Kina e veçoj,” tregon ish studentja në Pekin, Bardhylka Kospiri.

“Në këtë studio unë kam filluar punën fill pas ‘78 kur kam përfunduar studimet në Kinë në Universitetin e Pekinit dhe Kina nisi hapjen me botën dhe Shqipëria filloi izolimin total. Nëse Kina pavarësisht divergjencave nuk foli për Shqipërinë, nuk e shau, nuk e akuzoi, jo në qarqet zyrtare ishte tjetër gjë, ne në shtator ‘78 në radion e jashtme të Radio Tiranës u hap një seksion në gjuhën kineze, e cila bënte proagandë kundër Kinës. Ne ishim një grup studentësh që kishim mbaruar dhe u caktuam këtu. Kjo është ironia e fatit, që ne studiuam në Kinë me idenë që do punojmë për miqësinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u caktuam për të bërë propagandë kundër Kinës. Ishim edhe të rinj, nuk kishim ndjeshmëri ndaj kësaj. Këtu punuam për 15 vjet. Të mbarosh për kinezisht dhe të kesh ëndrra që ta zhvillosh këtë gjuhë, ëndrrat tona u këputën në atë pikë sepse prishja e marrëdhënieve do të thoshte që edhe mundësitë tona për ta zhvilluar gjuhën u prenë dhe pas ‘90 kur u hap Shqipëria me botën, unë I rivendosa kontaktet me Kinën”, tregon sinologu Iljaz Spahiu.

Shqipëria dhe Kina tashmë kishin hyrë përfundimisht në fazën më kritike të marrëdhënieve ku fillojnë shfaqen hapur mosmarrëveshjet e ato reflektohen në të gjitha nivelet dhe sidomos në ato ekonomike.

“Në korrik të ’77 në Zërin e Popullit ishte një artikull: Teoria dhe praktika e revolucionit ku goditeshin në rrafsh të plotë të gjitha pikëpamjet kienze. Pas kësaj e tatëpjeta e marrëdhënieve ishte e sigurt, u përshpejtua, pati mosmarrëveshje serioze, akuza të ndërsjellta, që cuan pastaj në 7 korrik ’78 në letrën që KQ i PKK i dërgoi KQ të PPSh ku i rreshtonte të gjitha arsyet, pakenaqësitë, nënvizontë ndihmën e madhe nga ’54-’77, që ishte goxha e madhe dhe që ngarkonte me përgjegjësi qeverinë e udhëheqjen shqiptare,” thotë Paskal Milo.

“Propaganda ishte kundër reformave të Kinës. Kur e mendon ishte ironike se ne kritikonim pse Kina i jep tokën fshatarëve, kritikonim politikën e saj si revizioniste social-imperialiste, kritikonim reformat në industry, hapjen e saj me perëndimin, me SHBA ose vendet e Europës që vendosi marrëdhëniet diplomatike. Thelbi i propogandës ishte kundër reformave që po zbatoheshin në Kinë dhe që sollën zhvillimin ekonomik të vendit dhe politikës së jashtme e cila sipas qeverisë komuniste ishte kundër marksizëm-leninizmit dhe pro social-imperializmit,” shton Iljaz Spahiu.

Me ftohjen e marrëdhënieve nga ’78-’83 nuk pati, as bashkëpunim politik, por thjesht marrëdhënie diplomatike; u ul niveli si asnjëherë më parë dhe vetëm pas ’83 u dhanë mesazhet e para që mund të fillojnë shkëmbimet tregtare. Gradualisht nisën shkëmbimet ekonomike në ’83, delegacioneve tregtare dhe në mënyrë graduale pati një përmirësim të ndjeshëm, pragmatist në fushën ekonomiko-tregtare, por asnjë ndryshim nuk pati në politikë midis dy partive jo e jo, pasi Tirana zyrtare vazhdoi deri ne ’90 ta konsideronte Kinën si një vend që ka marrë rrugën kapitaliste të zhvillimit, si një vend i afruar me SHBA, që ka hapur dyert për investimet perëndimore, që ka krijuar zona të tregtisë së lirë për kapitalet perëndimore, fakte që qëndronin, por që në interpretimin dogmatik të Tiranës ato ishin të gabuara,  sipas gjykimit ideologjik dhe politik të udhëheqjes komuniste shqiptare.

“Në janar ’91 ka një delegacion shqiptar të nivelit të larta për herë të parë prej shumë kohësh të kryesuar ministri i Jashtëm Reiz Malile që shkon për vizitë zyrtare në Pekin. Në atë kohë këtu PD e sapokrijuar e priti me protesta para MPJ. Reiz Malile që kishte qenë ambasador në Pekin kur filloi lulëzimi i marrëdhënieve në vitet ’60, që kishte qenë zv/min i Jashtëm kur u prishën marrëdhëniet në ’78, por qe pas ’81 ishte ministër i Jashtëm dhe i takoi atij të shkonte përsëri zyrtarisht në vizitë, që shënoi një pikë tjetër në zhvillimin e marrëdhënieve, ndonëse me zhurmë por që pastaj marrëdhëniet filluan të jenë normale në aspektin diplomati,” thotë historiani dhe ish ministri i Jashtëm Paskal Milo

“Kina në vitet ‘90 nuk ka qenë shumë e pranishme në Shqipëri. Ky ndryshim i madh në politikën shqiptare, sistemi e regjimi e botëkuptimi dhe kthimi totalisht i vëmendjes nga Europa e SHBA, aplikimi për në NATO e proceset integruese europiane i zbehën më shumë marrëdhëniet shqiptaro-kineze në vitet ’90,” thotë Dr. Gjon Boriçi, studiues në Institutin e Historisë dhe ekspert i marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

Ish studentja në Pekin Bardhylka Kospiri tregon: “ Kam rivendosur kontakt shumë vonë me ish shokët e kursit por nuk kam patur rastin të shkoj në Kinë. Mes kolegësh dhe ish studentësh kemi ndarë eksperiencat dhe zhvillimin e menjëhershëm e shumë të madh. Pekini që unë e kam të fotografuar ashtu si ka qënë ka ndryshuar nga ai që kam parë. Është një qytet modern, i ndryshuar edhe në koncept, që pranojnë zhvillimin, modernizmin që suan të ecin por mbi bazën e punës.  Marrëdhëniet që u ndërtuan aty me shokët e klasës, pedagogët e përkushtuar pasi ishte e vështirë që t’i ndjekësh të gjitha leksionet në kinezisht dhe kam sjellë eksperiencën gjatë punës sime, që puna e ekipit funksiononte shumë mirë për të dhënë rezultate.”

“Ne e kemi njohur Kinën kur ishim studentë. Ishte një Kinë krejt ndryshe; një Kinë e varfër ekonomikisht, të izoluar gjatë revolucionit kulturor. Kina për 30 vjet ka patur rritje ekonomike dyshifrore. Sot nuk mund të krahasohet GDP e viteve ‘70 me të sotmen kur Kina është fuqia e dytë në botë. Ka ndryshuar gjithçka dhe qasja e saj ndaj kulturës e civilizimit të vjetër. Ka qënë një rast i jashtëzakonshëm që t’I përkushtohem kulturës e civilizimit. Tashmë si sinolog. Kina ka ndryshuar si mentalitet. Ndryshim total, drastic. Krahasuar me Kinën që unë kam njohur është krejt ndryshe,” thotë sinologu Iljaz Spahiu.

“Marrëdhëniet sot me Kinën nëse i shtrijmë deri në ditët tona, janë marrëdhënie të cilat janë të vendosura në një konjukturë pragmatiste për të dyja vendet, por që shpesh ose kohët e  fundit, për shkak të konjukturës ndërkombëtare, për shkak të angazhimeve instuitucionale të partnershipit me SHBA, NATO dhe BE, ka një zhvendosje të vëmendjes në raport me vitet e shkuara që megjithë angazhimin periferik shqiptar në nismën 17+1 duket që ekziston një rezervë në Tiranë për të ecur më tej në fushën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik me Kinën,” shprehet Paskal Milo.

“Bashkëpunimi Shqipëri-Kinë duhet ridimensionuar, po flasim për dy shtete diametralisht të kundërta përsa i përket sipërfaqës, fuqisë ekonomike, ndoshta dhe strategjive. Shqipëria është një vend i NATO-s, janë hapur negociatat për anëtarësimin në BE dhe është në një rrugë drejt integrimit. Sot jetojmë në epokën globale dhe globalizimi nuk ka disa standarde, ka një standard dhe kryesori janë marrëdhëniet e intersat ekonomike. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: sa i intereson Shqipërisë të ketë marrëdhënie të ngushta ekonomike me RP të Kinës,” thotë Dr. Boriçi.

“Edhe Kina në të gjitha takimet me shqiptarët e ka mbështetur integrimin europian të Shqipërisë. Madje e sheh si mundësi më të madhe për bashkëpunim. Kina sot është partner ekonomik numër 1 me BE. Bashkëpunimi ekonomik është një mundësi e madhe për Shqipërinë dhe me rezultate për të dyja palët. Ne kemi investime kineze, por nuk janë në nivelin e duhur. Ka patur disa përpjekje për investime të mëdha, si HEC Bushatit ose Rruga e Arbrit që kanë dështuar. Unë shpresoj këto marrëdhënie të vazhdojnë pasi kane miqësinë tradicionale, dhe të konkretizohen në aspektin ekonomik. Kinezët janë të hapur e nuk kanë shprehur rezerva ndaj orientimit euro-atlantik,” shprehet Iljaz Spahiu, sinolog dhe kryetar i shoqatës kulturore Shqipëri-Kinë.

Si është të jetosh në Kinën e shekullit në 21-të pas një transformimi të madh si ekonomik dhe infrastrukturor dhe me një pozicion ndryshe në arenën ndërkombëtare? Po për kinezët që zgjedhin Shqipërinë të jetojnë, si perceptohet ky vend i europian?

“Shkova në Kinë në moshë të re kështu që ishte një eksperiencë ndryshe. U përpoqa të gjeja një gjë komuniste në Kinë por përvec ndonjë simboli të komunizmit në sheshin Tiananmen, në pjesët e tjera të kryeqytetit apo qytete të tjera si Shanghai, Guangzhou, Shenzhen, Wuhan, nuk gjeje asgjë komuniste. Gjeje ndërtesa me arkitekturë të posacme aziatike, por nuk gjeje dicka që t’i bashkëngjisje pjesën e komunizmit. Ndryshe nga shqiptarët që flasin gjatë për politikën, në Kinë nuk flitej për politikën,” thotë Leftion Peristeri, gazetar që ka punuar në Kinë.

“Kam dëgjuar ne 2012 për Shqipërinë kur erdha këtu. Nuk dija më parë. Kur u them miqve se punoj në Shqipëri ata kujtojnë se jam në Algjeri, për  shkak të ngjashmërise së emrave të shteteve në kinezisht. Prindërit nuk ma kishin përmendur Shqipërinë, por përpara se te vija këtu babai im më tha: Shqipëria, e njoh këtë vend. Kishte informacion. Ai njeh Enver Hoxhën dhe historinë në të shkuarën mes Shqipërisë dhe Kinës; ne ishim popuj vëllezër,” tregon Li Beilei, profesore e kinezishtes në institutin “Konfuci” në Tiranë.

Leftion Peristeri shton: “Kam dëgjuar njerëz me historitë e tyre në Shqipëri. Pa qënë në Shqipëri dinin kush kishte qenë udhëheqësi i vendit, dinin një këngë Pekin-Tiranë apo kishte njerëz që ishin të interesuar të dinin cfarë ndodh sot. Më ka qëlluar të jem kalimtar në sheshin Tiananmen dhe familje të ndryshme kineze që e vizitonin për herë të parë cuditeshin që kalonte një i huaj dhe donin të kishin një fotografi, edhe pse nuk më njihnin e nuk i njihja. Isha një person nga Europa që ata donin të më kishin në portretin e familjes. Ose një herë kur një taksist më pyeti nga isha dhe I thashë jam nga Shqipëria, nisi të këndojë në shqip një këngë. Nuk e dinte tekstin por thjesht muzikën që i kishte mbetur në mendje nga e kaluara e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.”

Profesorja Li Beilei: “Kur u njoftova se do të shkoja për punë në Shqipëri u gëzova se do shkoja në Europë. Duhet të jete bukur; mënyrë jetese tjetër e kulturë tjetër. Ndërtimet këtu nuk janë aq të bukura sa ne Kinë, por mënyra e jetesës është me e mirë, sepse njerëzit e shijojnë më shume jetën.  Njerëzit e marrin jetën shtruar se në Kinë. Njerëzit në Kinë përballen me shumë sfida. Më herët e kemi patur shumë të vështirë e tani janë mësuar me jetën e shpejtë, punën, studimet. Zgjohen herët e punojnë deri vonë.  Kina ka ndryshuar shumë. Më parë unë jetoja në fshat dhe ai moment ishte i vështirë. Që prej 20 vjetësh ka ndryshuar shumë. Prindërit e mi tani jetojnë në qytet. Cilësia e jetesës ja ndryshuar shumë. Njerëzit janë më të hapur dhe i gëzohen jetës. Është jetë e vështirë ne fshat por ka ndryshuar. Nuk të duket se je në zonat rurale. Në fshatin tim nuk ka më llampa me energji elektrike në rrugë, por kemi ndricim me panele diellore.”

“Kina ka marrë vitet e fundit një zhvillim të jashtëzakonshëm. Është e pabesueshme se si disa qytete që në të kaluarën kanë qenë thjesht fshatra peshkatarësh, me popullsi të vogël. Tani janë metropole me mbi 20 mln banorë. Shenzheni është bërë edhe pjesë e fjalimeve të politikanëve shqiptarë, që thonë do e bëjmë këtë rajon si Shenzheni e Ballkanit për shkak të zhvillimit ekonomik. Është investuar për rrjete fabrikash. Ky është zhvillimi që Kina ka menduar për këtor ajone të posacme ekonomike. Kur I viziton thua je në një vend aziatik, vend që vuante urie, apo në një vend me zhvillimin më të shpejtë në botë,” thotë gazetari Leftion Peristeri.

“Jeta ime këtu eshtë shume e mirë. Kam bërë reklamë për Shqipërinë në rrjetet sociale kineze; deti, malet, liqenet dhe njerëzit më thonë: Sa bukur! Nuk është e njëjta nga ajo që mund të gjesh në Google. Situata reale ështe ndryshe. Turizmi vitin e kaluar ishte shumë mire por këtë vit  jo dhe aq mirë për shkak të pandemisë. Miqtë e mi që punojnë në agjenci turistike ma thonë këte. Shpresoj që më shumë kompani kineze të vijnë në Shqipëri. Më parë ka patur. Këte vit disa kompani kineze kanë ikur dhe studentët e kinezishtes që gjetën punë aty tashmë janë papunë.  Kam mësuar pak shqip: Gëzohem qe të njoha. Disa fjalë ushqimesh e perimesh. E preferuara ime është: makarona me fruta deti, mish qingji,” thotë Li.

Shqipëria, dikur fanari ndriçues në brigjet e Adriatikut, gjithnjë u ka kushtuar vëmendje marrëdhënieve me Kinën. Vendet e kanë të qartë se nuk mund të kthehen kurrë më në pozitat ideologjike të shekullit të kaluar, kur marrëdhëniet patën pikun e tyre. Po aq mirë dihet nga Kina se shqiptarët janë proamerikanët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor dhe rruga e Shqipërisë është qartësisht në BE, që gjithsesi Kinën e ka partneren e saj strategjike ekonomike. Pamjet nga dokumentari “Krah për Krah”, i risjellë nga Arikivi Qendror Shtetëror i Filmit e të shfaqura në “Exclusive” në Top Channel, i shtohen arkivës së kohës së largët të një miqësie e bashkëpunimi, që shpesh herë, sipas historianit dhe ish ministrit të Jashtëm Paskal Milo, u bënë gati proverbiale e folklorike në atë kohë, e që sot janë një kontinent larg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA