“Negociatat, problem i BE”/ Rama: Na thuhet që Europa do të martohet me ne, por si mund të martohesh, kur nuk flet!

18/10/2020 11:57

Kryeministri Edi Rama nga forumi “Europa Park” në Mynih,  përsëriti shqetësimin për hapat e ngadaltë të BE-s në lidhje me zgjerimin dhe përfshirjen në familjen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti Makron ma ka përsëritur shpesh se në qoftë se biem dakord për çeljen e negociatave me Shqipërinë, kjo nuk do të jetë e lehtë për shkak të Marie Lepen,  së djathtës etj etj për shkak të zgjedhjeve. Pra na duhet të prisnim zgjedhjet që janë kaq të shumta në BE. Problemi është që ata nuk e thonë këtë, sepse i thash pse nuk e thua publikisht që,  shikoni djema ne ju pëlqejmë ju duam shumë,  duam që t’u marrim por për momentin na duhet të lyejmë shtëpinë. Jo nuk e thonë publikisht, por thonë që ah këta shqiptarët kanë probleme, kanë këtë kanë atë. Kjo shkakton një problem në vend pasi opinioni publik e dëgjon dhe mendon sikur ne jemi ata që po bëjmë gjënë e gabuar,  e jo Makroni që është duke u përballur me zgjedhjet”.

Për pritshmëritë e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërisë dhe BE-s, kryeministri bëri këtë koment.

“Është marrë vendimi për të çelur konferencën e parë ndërqeveritare, por pozicioni për ne  është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër për Evropën, që nuk e vëmë në pikëpyetje. Na thuhet që Evropa do të martohet me ne por si mund të martohesh, kur nuk flet. Pra duhet të martohemi me ju por nuk jemi gati të flasim”.

Anëtarësimi është një tjetër histori theksoi kryeministri Edi Rama ndërsa, negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona, sepse negociatat, udhërrëfyesi janë  mjetet për ti bërë shtetet tona vende të besueshme demokratike.

Top Channel