Bolgheri Sassicaia/ Policia italiane kap 4,000 shishe false të super-verës së Toskanës

15/10/2020 19:56

Shishet e rreme imitonin një nga verërat më të mira të Italisë, ‘Bolgheri Sassicaia’ që kushton deri në €400 secila.

Policia italiane tha se ka sekuestruar 4,000 shishe të rreme të verës prestigjoze nga Toskana, duke arrestuar dy vetë dhe duke hetuar 11 të tjerë.

Hetuesit thanë se vera e rreme e kishte origjinën nga Siçilia, shishet e saj prodhoheshin në Turqi ndërsa etiketat dhe kutitë e drunjta vinin nga Bullgaria.

Operacioni kulminoi me kapjen e 700 arkave të verës me një total prej 4,200 shishesh. Vera origjinale është produkt i sezoneve 2010 e 2015 dhe është lavdëruar nga kritikë italianë dhe ndërkombëtarë.

“Hetimi ynë nisi me shans, kur dy hetues të Guardia di Finanza hasën një arkë vere të rreme në rrugët e Empoli, në Toskanë, e cila me shumë gjasa kishte rënë nga një kamion,” tha prokurori i Firenze Giuseppe Creazzo.

“Në arkën e gjetur kishte një shënim me numra telefoni prej të cilave nisën hetimet që çuan në arrestimin e dy individëve. Për fat ne arritëm të bllokojmë shitjen e një prej verërave më të famshme të Italisë në tregun ndërkombëtar”.

Sipas hetuesve, një numër klientësh nga Kina, Korea dhe Rusia kishin porositur rreth 1000 arka me çmim rreth 70% më të ulët se origjinali.

“Për fat të keq prodhimet e falsifikuara të artikujve ushqimorë të Toskanës janë të shpeshta”, tha Francesco Colpizzi, president i shoqatës vendore të verës dhe bujqësisë.

Bolgheri Sassicaia, i prodhuar nga kantina Tenuta San Guido, është verë e kuqe e tipit Bordeaux.

Në 2019 një linjë shishesh të prodhuara në 2016 morën një maksimum prej 100 pikësh nga kritiku amerikan Robert Parker.

Bolgheri Sassicaia ka vreshtat e saj në kodrat bregdetare të Maremma e Toskanës. Vera vjetërohet për 24 muaj në fuçi lisi, ku merr një ngjyrë të kuqe të errët.

Në 2015 në një ankand të Sotheby’s në New York, një arkë Sassicaia e vitit 1985 u shit për gati 20 000 dollarë.

FOTO GALERI
2/3
Bolgheri Sassicaia ka vreshtat e saj në kodrat bregdetare të Maremma e Toskanës

Top Channel