Koronavirusi vijon të “godasë” në skuadrën e Juventusit, sepse vetëm 24 orë pas infektimit të Cristiano Ronaldos, pozitiv ka rezultuar edhe mesfushori i talentuar amerikan Weston McKennie, i cili iu bashkua bardhezinjve vetëm këtë verë.

Futbollisti kishte mbetur në Torino gjatë këtyre ditëve, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin planifikuar ndeshje, ndërsa në tamponët e kryer ditën e djeshme ka rezultuar pozitiv dhe është vendosur menjëherë në karantinë.

Ndërkohë, klubi bardhezi njofton se që prej mbrëmjes së sotme të gjithë futbollistët janë vendosur në izolim në mirëbesim, për të shmangur infektimin e personave të tjerë.

Nga tani deri të premten pasdite, futbollistët që kanë qenë këto ditë në qendrën stërvitore të klubit bardhezi do t’u nënshtrohen testeve për të parë nëse do të ketë të prekur të tjerë.

“Klubi i futbollit Juventus njofton se gjatë kontrolleve të parashikuara nga protokolli në fuqi, doli pozitiv ndaj Covid 19 lojtarit Weston McKennie. Në përputhje me legjislacionin dhe protokollin, grupi i skuadrës hyn këtë mbrëmje në izolim në mirëbesim. Kjo procedurë do t’u lejojë të gjithë futbollistëve negativë ndaj koronavirusit, të kryejnë stërvitjet dhe ndeshjet rregullisht, por nuk do të lejojë kontakte të tyre me njerëz jashtë grupit. Klubi është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente shëndetësore”, thuhet në deklaratën e Juventusit.

Top Channel