Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, Juventusi ka marrë fitoren 3-0 në tavolinë ndaj Napolit, duke qenë se këta të fundit nuk u paraqitën në Torino për të luajtur ndeshjen e javës së tretë të Serisë A.

Pas më tepër se një jave hetime për rastin, Gjykata Sportive më në fund ka vendosur fitoren në tavolinë të bardhezinjve, por nuk është mjaftuar me kaq, pasi i ka hequr Napolit edhe një pikë nga renditja, në formë penaliteti.

Kujtojmë që Napoli nuk u paraqit në Torino mbrëmjen e 4 tetorit për të luajtur përballjen ndaj bardhezinjve, me arsyetimin se nuk u lejua të udhëtojë nga Zyra Rajonale Shëndetësore e Kampanjës.

Ndonëse pati 24 orë kohë për të vlerësuar situatën, Liga e Serisë A vendosi që ndeshja të mos shtyhej dhe futbollistët e Juves bënë ritualin e zakonshëm, duke zbritur në fushë bashkë me arbitratdhe pritur për 45 minuta kundërshtarët.

Vendimi i Gjykatës Sportive ishte i pritshëm dhe i paralajmëruar nga mediat italiane, ndërsa edhe te Napoli prej disa ditësh përgatiten për apelimin, pasi besojnë se do ta rrëzojnë, duke qenë se pretendojnë se thjesht kanë zbatuar ligjet e shtetit, duke mos udhëtuar drejt Torinos.

Gjithsesi vlen të theksohet se vendimi i sotëm ishte thjesht një tjetër akt i kësaj ndeshjeje, fati përfundimtar i të cilës pritet të vendoset shumë vonë dhe pas seancash të ndryshme gjyqësore.

Top Channel