Pas lajmit pozitiv për zhvillimin e ndeshjeve të edicionit të sivjetshëm të Champions League-s në shtëpi, klubi i Atalantës do të ketë gjithashtu privilegjin për të mirëpritur pikërisht përfaqësuesen italiane të futbollit. “Atleti Azurri d’Italia” do të jetë pra në këtë mënyrë edhe stadiumi ku do të përballen Italia dhe Holanda, për ndeshjen e tyre të radhës në Ligën e Kombeve.

Të kaltërit kryesojnë Grupin e Parë të Kategorisë Elitare të Ligës së Kombeve me 5 pikë, ndërsa Holanda me Poloninë ndjekin me një pikë më pak. Në takimin e vajtjes, në Amsterdam, një muaj më pare, në stadiumin “Johann Cruyff Arena”, gjithçka u vulos që në fundin e pjesës së parë, nga një gol i shënuar pikërisht përpara se të shkohej në interval nga mesfushori i Interit Nicolo Barella, sidoqoftë fitorja në atë duel mbetet edhe e vetmja që ka regjistruar skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Mancini në këtë edicion të UEFA Nations League.

Grupi i Parë është një grup tepër interesant, ku në letër edhe Bosnjë Hercegovina ka praktikisht mundësi për të synuar kualifikimin, gjithsesi duke patur parasysh forcën e skuadrave të tjera, vendi i parë do të jetë gati–gati i pamundur për ekipin boshnjak.

Të dielën, në mbrëmje, të gjitha ekipet barazuan pa gola në këtë grup. Kështu Holanda nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola në Zenicë me ekipin e drejtuar nga trajneri Dusan Bajevic, ndërsa në “Stadion Energa” të Gdanskut Polonia dhe Italia barazuan po 0-0 në një ndeshje vërtet shumë të fortë dhe plot raste për shënim.

Italia vazhdon të shijojë një ecuri tepër pozitive, duke patur parasysh që nën drejtimin e trajnerit Roberto Mancini skuadra nuk pëson humbje që nga shtatori i vitit 2018, kur Italia u mposht nëstadiumin “Da Luz” të Lisbonës, pas një goli të pësuar në fillimin e pjesës së dytë nga ish-sulmuesi i Milanit Andre Silva. Që nga ajo kohë, në 25 muajt e fundit Italia ka fituar plot 14 takime, duke barazuar katër ndeshjet e tjera me Ukrainën në një sfidë miqësore, si dhe me skuadrat e tjera Portugalinë, Bosnjë Hercegovinën dhje Poloninë pikërishtë në Ligën e Kombeve.

Në krahun tjetër “portokallinjtë” janë duke vuajtur largimin e trajnerit të mëparshëm Ronald Koeman, pasi me Frank De Boer në timon skuadra holandeze nuk po gjen rrugën e rrjetës. “Tulipanët” janë shfaqur të brishtë dhe plot probleme edhe në fazën mbrojtëse, madje javën e kaluar Holanda e pësoi nga Meksika brenda në Amsterdam, në një test miqësor.

“Portokallinjtë” nuk kanë shënuar asnjë gol në tre sfidat e fundit me Italinë, Meksikën dhe Bosnjën, megjithatë diçka e tillë deri diku është lehtësisht e kuptueshme, duke marrë në konsideratë faktin që trajneri i ri Frank de Boer vazhdon t’i besojë përpara sulmuesit të Gallatasarajit Ryan Babel. Holanda gjithsesi ruan pozita të mira në grup falë fitores së regjistruar në takimin hapës, në Amsterdam, ndaj Polonisë, falë një goli të realizuar nga futbollisti i Tottenhamit Steven Bergwijn.

Tek Italia do të mungojë Andrea Belotti në sulm, ndërsa te Holanda nuk do të luajë futbollisti i Atalantës Marten De Roon. Dy vendet janë përballur plot 22 herë dhe Holanda ia ka dalë për të fituar në vetëm tre ndeshje gjithsej, që të gjitha sfida kompetitive, ndërkohë skuadra “azzure” krenohet me plot 11 fitore, ndërsa 8 ndeshje janë ndarë në barazim.

Po në orën 20:45 Kroacia do të presë në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit Francën, në një duel të ndezur që do të përsërisë pikërisht finalen e edicionit të fundit të kampionatit botëror. Në Grupin e Tretë Franca dhe Portugalia kryesojnë në kuotën e 7 pikëve, gjithsesi po në të njëjtën orë kampionët në fuqi të këtij kompeticioni do të presin në stadiumin “Jose Alvalade” të Lisbonës Suedisë.

Pas triumfit ndaj vendit të parë të botës në renditjen e FIFA-s Anglia do të masë forcat në Wembley me Danimarkën, kundërshtar që e bllokoi në Kopenhagen një muaj më parë në një barazim të shëmtuar pa gola, ndërkohë interes ngjall gjithshtu edhe takimi tjetër që luhet në Shkup, Maqedoni e Veriut – Gjeorgji, që i paraprin në njëfarë mënyre sfidës së vërtetë që do të kenë këto dy skuadra përfaqësuese pas një muaji në Tbilisi, për një vend në kampionatin e ardhshëm europian.

Top Channel