Shumë të infektuar nga koronavirusi, Italia U21 zëvendësohet nga U20-a në eliminatore

12/10/2020 18:11

Italia U21 nuk do të luajë as nesër në mbrëmje në Pisa përballë Irlandës në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Euro 2021-shit, pasi në grupin e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Paolo Nicolato kanë dalë disa të prekur nga Covid 19.

Nëpërmjet një komunikate të shpërndarë pasditen e sotme, Federata Italiane e Futbollit deklaroi se në ndeshjen e nesërme Italia do të përfaqësohet nga skuadra U20, e cila ishte njoftuar më herët të qëndrojë në gatishmëri.

Futbollistët e Italisë U20 u janë nënshtruar dy testeve gjatë ditëve të fundit dhe kanë rezultuar të gjithë negativë, ndërsa FIGC ka kërkuar që t’u shtojë edhe emra si Cutrone, Ricci, Sottil e Tonali nga skuadra U21.

“Na vjen keq, por kemi ndjekur çdo rrugë të mundshme në një situatë tejet komplekse. Jam krenar për stafin dhe futbollistët e mi. Sjellja e tyre dhe sensi i përgjegjësisë më nderojnë më shumë sesa një fitore”, u shpreh trajneri i Italisë Paolo Nicolato.

Top Channel