Në Itali “shtrëngojnë rripin” prej pandemisë, klubet ulin shpenzimet për pagat

10/10/2020 16:55

Pas pandemisë klubet e Serisë A kanë “shtrënguar rripin” për të ulur sa më shumë shpenzimet, duke qenë se edhe të ardhurat kanë rënë ndjeshëm, duke nisur që nga ato prej shitjeve të biletave, pasi stadiumet vijojnë të jetë në mbyllura.

Kështu në total shpenzimet për pagat në kampionatin italian janë ulur me 72 milionë euro, teksa nga një miliardë e 360 milionë euro bruto që janë paguar një vit më parë, shifra ka zbritur në një miliardë e 288 milionë euro.

Uljen më të madhe të shpenzimeve për pagat e ka regjistruar Juventusi, që këtë vit do të paguajë plot 58 milionë euro më pak se një vit më parë, megjithatë bardhezinjtë janë të vetmit që e kalojnë shifrën 200 milionë euro për këtë zë të buxhetit, pasi do të duhet të nxjerrin sërish nga arkat 236 milionë euro.

Pas Juventusit renditet Interi, që ka rritur shpenzimet për pagat me 10 milionë euro (nga 139 milionë në 149 milionë), gjë që shpjegohet mjaft mirë me afrimin e disa futbollistëve me eksperiencë, të cilët fitojnë edhe më shumë.

Rritje të shpenzimeve për pagat kanë regjistruar edhe klube si Atalanta, që ka rivlerësuar futbollistët pas paraqitjeve mjaft të mira, por edhe Napoli e Lazio. Ndërkohë ulje të tyre kanë regjistruar klube si Roma dhe Milani, që këtë vit do të shpenzojnë më pak për pagat.

Top Channel