Charles Leclerc paralajmëroi tifozët e Ferrari-t për një tjetër sezon të vështirë në Formula 1. Skuderia e famshme italiane vazhdon të notojë në ujëra të turbullta dhe për momentin Ferrari pozicionohet në vendin e gjashtë në klasifikimin e përgjithshëm të konstruktorëve. Kohë më parë drejtuesi më i lartë i grupit Fiat Chrysler Automobiles, John Elkann deklaroi se përkrahësit e makinës së kuqe duhet të tregohen të duruar dhe të mësohen me idenë që ekipi mund të mos fitojë më asnjë garë deri në vitin 2022.

Fjalë shumë të rënda për mbështetësit e makinës legjendare italiane, por gjithsesi tepër të sinqerta, sidoqoftë tani radhën për të përcjellë një mesazh të ngjashëm e ka pikërisht piloti nga Principata Charles Leclerc, që beson se ndryshimet e mëdha në Maranello do të fillojnë pikërisht nga viti 2022. Piloti nga Monte Carlo i paralajmëroi kështu tifozët e Ferrari-t për vitin 2021, duke shpjeguar se nuk pret ndonjë rezultat të veçantë, ndryshime rrënjësore apo përmirësim në aspektin e performancës së makinës.

22-vjeçari monegask shtyu në këtë mënyrë gjithçka për vitin 2022 dhe Charles Leclerc është i bindur se gjërat do të ndryshojnë vërtet shumë në atë sezon, megjithatë ai këmbëngul se skuadra duhet të tregohet e gatshme dhe të jetë në lartësinë e duhur për të përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha modifikimet e rëndësishme që do të pësojë makina në vitin 2022. Leclerc u tregua i qartë dhe nuk premtoi asgjë, madje ai shoi çdo shpresë për tifozët teksa shtoi se për sezonin e ardhshëm nevojitet një mrekulli. Në fakt nga viti 2022 do të ndryshojnë shumë gjëra dhe më pas do të hidhen bazat nga të gjitha skuadrat respektive për zhvillimin e makinës.

Në intervistën e dhënë për gazetën italiane “La Repubblica” Leclerc foli gjithashtu edhe për raportin me shokun e tij të skuadrës te Ferrari Sebastian Vettel. 22-vjeçari qartësoi se marrëdhënia ndërmjet tyre ka qenë gjithmonë shumë e mirë. Ai kujtoi se në fillim raporti ndërmjet tyre ishte disi i çuditshëm dhe në njëfarë mënyre Leclerc e mori përsipër vetë fajin për këtë, megjithatë piloti nga Principata u mundua të justifikohej se ndoshta diçka e tillë ishte normale për kohën, duke patur parasysh që Sebastian Vettel kishte statusin e 4 herë kampionit të botës në këtë sport. Leclerc nënvizoi faktin që një detaj i tillë e frikësonte në njëfarë mënyre dhe i krijonte një gjendje ankthi.

Piloti nga Monte Carlo rrëfeu se në atë kohë e bezdiste fakti që Vettel ishte aq i suksesshëm, ndërsa ai vetë nuk kishte fituar akoma asgjë, gjithsesi Leclerc tha se me kalimin e kohës gjërat shkuan në vendin e tyre dhe dy pilotët fituan simpatinë reciproke, aq të nevojshme për të bashkëjetuar në një skuadër të Formulës 1. Ai tregoi se edhe në momentet më të vështira, si për shembull në Brazil sezonin e kaluar apo në Styria sivjet të dy pilotët e kanë respektuar në maksimum njëri – tjetrin, ndërsa në momentin e përfundimit të garës çdo tension i mundshëm është zbutur, pas sqarimit me qetësi të situatës.

Në lidhje me shokun e tij të ri të ekipit, Charles Leclerc deklaroi se nuk është në gjendje për të thënë përse drejtuesit e skuadrës preferuan spanjollin e McLaren-it Carlos Sainz Jr në vend të një piloti tjetër, megjithatë sipas tij 26-vjeçari madrilen është një pilot shumë i shpejtë dhe tepër konstant. Leclerc kujtoi gjithashtu se në fundin e vitit të kaluar Carlos Sainz Jr. e kishte pyetur nëse kishte ndonjë vend të lirë te Ferrari.

Natyrisht që piloti i ri nga Monte Carlo nuk ishte në gjendje për t’i dhënë një përgjigje të saktë, megjithatë tani pasi kanë kaluar shumë muaj nga ai episod Leclerc kujton shkëlqimin në sytë e pilotit iberik në momentin e pyetjes, duke lënë të kuptohet se 26-vjeçari spanjoll në njëfarë mënyre mund të ketë qenë në dijeni të ndonjë oferte të mundshme. Charles Leclerc i uroi fat gjithashtu edhe pilotit më të ri të Formulës 1 Mick Schumacher, që bëri debutimin në këtë sport në provat e lira në Eifel Grand Prix në Nurburgring, duke shtuar se 21-vjeçari nuk hyn në botën e Formulës 1 thjesht prej mbiemrit dhe famës së babait, por për shkak të talentit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA