Eriksen mesazh Contes e Interit: Nuk kam ndërmend ta kaloj vjeshtën në pankinë

09/10/2020 23:40

Te Interi nuk po arrin të shndërrohet në një lider, ashtu siç janë pritshmëritë për të, por te kombëtarja daneze Christian Eriksen vijon të bëjë më së miri punën e tij dhe madje edhe dje arriti të shënojë një gol në fitoren 4-0 ndaj Ishujve Faroe.

Ashtu siç edhe pritje, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, më shumë sesa për golin ndaj Ishujve Faroe, u fol për eksperiencën e danezit në klubin zikaltër dhe pritshmëritë për sezonin e ri, teksa vetë Eriksen theksoi se nuk ka ndërmend të rrijë vazhdimisht në pankinë.

“Sigurisht që nuk do të doja ta kaloja gjithë vjeshtën në pankinë. Të paktën ky është synimi im, por shpresoj që ky të jetë edhe synimi i trajnerit e klubit, pasi dua të luaj dhe të tregoj veten në fushë’, tha danezi.

Më pas fantazisti danez shpjegoi se anomalia e shkaktuar nga koronavirusi ka bërë që skuadrat të jenë të detyruar atë luajnë një numër shumë të madh ndeshjesh, brenda pak kohësh dhe kjo do t’i krijojë më shumë hapësira.

“Na pret një sezon shumë i ngjeshur me ndeshje çdo tre ditë, të cilave u shtohen edhe impenjimet me përfaqësuesen. Kur të kthehemi kemi ndeshje çdo tre ditë dhe me këtë kalendar, do të ketë hapësirë për të gjithë, ndaj jam i qetë sepse e di që do të kem mundësitë e mia”, u shpreh Eriksen.

Pankina peshon shumë për këdo dhe akoma më shumë për një si fantazisti danez që është mësuar të jetë gjithmonë lider në fushën e lojës, megjithatë Eriksen shpjegon edhe vështirësitë që ka hasur në aventurën e tij zikaltër.

“Erdha në janar dhe e nisa shumë mirë, por më pas erdhi ndërprerja për shkak të koronavirusit, që solli një farë rënieje dhe tani jam në një situatë ku nuk jam gjendur asnjëherë më parë. Njerëzit presin që unë të jem vendimtar në çdo ndeshje, me gola e asiste dhe nuk ka qenë kështu, ndaj gjykimet nuk janë pozitive. Pankina është e rëndë natyrisht, por bëhet edhe më e mundimshme kur ke një moshë dhe eksperiencë të caktuar’, tha futbollisti.

Në ditët e fundit të merkatos emri i Eriksen është lidhur me klube të ndryshme, por vetë fantazisti danez u shpreh se nuk ka pasur asnjë sinjalizim për oferta nga klube të tjera dhe se nuk ka menduar asnjë moment për zërat e merkatos.

‘Unë jam mësuar tani me zërat e merkatos dhe nuk më bëjnë më përshtypje, ndaj edhe data 6 tetor ishte një ditë si gjithë të tjerat. Nuk kam pasur asnjë sinjal për oferta në drejtimin tim si nga Interi, ashtu edhe nga menaxherët e mi. Nëse do të kishte diçka, më e pakta do të më kishin vënë në dijeni”, u shpreh Christian Eriksen.

Top Channel