Tre vite më vonë kur akoma nuk kishte asnjë të dhënë për Juljana Hoxhën ngjarja përsëritet me të njëjtat detaje dhe dinamike por këtë herë ndryshon qyteti, ngjarja zhvendoset në Durrës.

Kjo që do tju tregojmë është historia e Nuz Lugës, i cili në moshën 4 vjeçare u rrëmbye nga gjiri i familjes. Ishte ditë e shtunë kur Anila, mamaja e Nuzit, atë kohë 4 vjeçar, vendosi të shkojë te nëna e vetë. Ajo banonte te Çezmja e Ferrës në Durrës.

“Në vitin 1994 ka qenë një ditë e shtunë nëse nuk gaboj kur nusja i tha djalit do të shkoj te nëna ime. I thash Anila mos shko se sikur kemi dëgjuar se te Çezma e Ferrës rrëmbehen fëmijë. Sikur e ndjeja diçka. I përcolla deri te spitali vetë. Unë atë fëmijë e kam rritur me sakrifica se djali im në atë kohë herë punonet e herë jo, nusja ishte e papunë. Unë kam dhënë gjakun e trupit për atë fëmijë që e rrita e bëra në moshën katër vjeçare”, rrëfen gjyshja e Nuz Lugës.

Një ditë pasi Anila shkoi te nëna e saj, e nxorri Nuzin që të luante para pallatit me fëmijët e tjerë. Pas pak kohësh djali i kërkon bukë të ëmës. Ajo shkon në shtëpi që të përgatis diçka, ndërkohë që e lë djalin të luaj akoma. Nuk vonoi shumë dhe Anila u kthye me bukën në dorë për djalin e saj. Por djali nuk ndodhej më aty, atë e kishin rrëmbyer.

“Mami dua një çikë bukë se më hahet …ta bën mami dhe ta japë… Djali vazhdon të luaj… kur nusja i përgatit bukën dhe del për tja dhënë nuk e gjen. Gjithë atë ditë dhe natë duke kërkuar nuk e gjetëm. Erdhën këtu dhe tha mos e ka marë djalin Luli? Jo i thash unë, ku e ke djalin?”, tregon Hajrije Luga.

Top Channel