Fermerët e bardhë në Afrikën e Jugut djegin makinën e policisë pas vrasjeve

07/10/2020 18:26

Qeveria e Afrikës së Jugut ka dënuar sot një protestë “anarkiste” nga fermerë të bardhë që hynë me forcë në gjykatën e një qyteze dhe dogjën një makinë policie pranë saj.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata shurdhuese për të shpërndarë protestuesit, të cilët kërkonin që dy të ndaluarit për vrasjen e një fermeri të bardhë, t’i dorëzoheshin atyre.

Protestuesit mbanin pankarta ku thuhej “Boer Lives Matter”. Boer është fjala në gjuhën afrikano-jugore (Afrikaans) që i referohet fermerëve të bardhë.

Disa grupe thonë se fermerët po bëhen viktima genocidi dhe se qeveria nuk po bën sa duhet për ndalimin e vrasjeve.

Fermerët e bardhë Afrikaans-folës kanë qenë baza e sistemit të Aparteidit, i cili ligjërisht diskriminonte ndaj afrikanëve me ngjyrë.

Disa dekada të sundimit të minoritetit të bardhë morën fund në 1994, kur Nelson Mandela u bë presidenti i parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut.

Tensionet e fundit u përqendruan në lokalitetin Senekal pas vrasjes së një 21 vjeçari të bardhë. Trupi i tij ishte gjetur i lidhur në një shtyllë në fermën që drejtonte. Mediat thanë se ishte vrarë nga vjedhës bagëtish.

Dy të arrestuarit Sekwetje Mahlamba e Sekola Matlaletsa – ishin në gjykatën e Senekal ku u zhvillua protesta.

Demonstrata shpejt degradoi në kaos, ku u dëgjuan disa të shtëna dhe një makinë policie u përmbys dhe u dogj.

FOTO GALERI
3/5
Protestuesit mbanin pankarta ku thuhej "Boer Lives Matter".

Top Channel