Krim i rëndë në Itali/ Çifti gjendet i pajetë në banesë, zbulohen mjete me gjurmë gjaku në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë

16/10/2026 20:53

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Mirandolës, në provincën e Modenës, Itali, ku një çift të moshuarish është gjetur i vrarë dhe me kokat e prera brenda banesës së tyre. Si i dyshuar kryesor për krimin është ndaluar djali i gruas, 54-vjeçari Daniele Tavoni.

Viktimat janë identifikuar si Vincenza Giannini, 74 vjeçe dhe bashkëshorti i saj, Pier Ferdinando Casari, 83 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, Tavoni dyshohet për vrasjen e dyfishtë. Në banesën ku ai jetonte, pranë shtëpisë së viktimave, hetuesit kanë gjetur mjete me gjurmë të shumta gjaku, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur në kryerjen e krimit.

Trupat e çiftit u zbuluan të enjten në mbrëmje, kur në vendngjarje mbërritën karabinierët, policia dhe ekipet e urgjencës mjekësore.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se kush i njoftoi autoritetet për praninë e dy trupave në banesë.

Daniele Tavoni, djali i Vincenza Gianninit nga një martesë e mëparshme, u mor në pyetje nga hetuesit që në mbrëmjen e së enjtes. Sipas rindërtimeve paraprake të hetuesve, ai dyshohet se kishte pasur konflikte të përsëritura me çiftin e moshuar për çështje ekonomike.

Tavoni është dërguar në burgun e Modenës, ndërsa Prokuroria pritet t’i kërkojë gjyqtarit kompetent të vërtetojë ligjshmërinë e ndalimit dhe të caktojë një masë sigurie.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të një prej ngjarjeve më të rënda të regjistruara së fundmi në zonën e Modenës.

Top Channel