Maqedonia e Veriut mbrëmë në një seancë qeveritare ka miratuar masa të reja kundër përhapjes së koronavirusit, pasi në tre ditët e fundit regjistroi rritje të rasteve të konfirmuara me këtë virus.

Natën e kaluar, qeveria pranoi masat e Komisionit për sëmundje infektive, duke ndaluar mbrëmjet muzikore dhe duke kufizuar numrin e turistëve në objektet hotelerike.

Masa vjen pasi gjatë tre ditëve të fundit në vend u raportuan mbi 600 raste të reja të koronavirusit, respektivisht në raportin e ditës së djeshme 191, të së shtunës 243 dhe të së premtes 225 raste të reja me COVID-19.

Po ashtu e shtuna shënoi numrin rekord të rasteve një-ditore që nga shpërthimi i pandemisë, pas 18 korrikut kur u shënuan 240 raste.

Sipas masave të reja qeveritare, në objektet hotelerike që shërbejnë pije dhe ushqim, përfshirë në pjesën e restorantit, nuk do të lejohen këngëtarët, grupet muzikore apo DJ, ndërsa numri maksimal i muzikës do të jetë i kufizuar në 55 decibel.

Në objektet hotelerike dhe kafeteri do të jetë i kufizuar në 4 numri i personave në tryezë dhe nuk do të lejohet shërbimi i mysafirëve që qëndrojnë në bar.

Qeveria po ashtu pranoi indikacionin e Komisionit për sëmundje infektive për nevojën e respektimit të rreptë të ndalimit të funksionimit të bareve dhe diskove të natës si dhe nevojën për marrjen e masave rigoroze nga institucionet kompetente në rast të shkeljes së ndalimit.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 18.790, prej të cilëve 15.341 pacientë janë shëruar dhe 756 kanë vdekur

Top Channel