Bayerni i Mynihut hodhi pas krahëve humbjen 4-1 të një jave më parë në transfertën ndaj Hoffenhaimit, pasi ia doli të mposhtë Herthën e Berlinit me rezultatin 4-3, në një sukses që mban plotësisht firmën e polakut Lewandowski.

I karikuar maksimalisht nga çmimi “Futbollisti më i mirë i vitit” që mori pak ditë më parë nga UEFA, bomberi bavarez arriti të shënojë të 4 golat mbrëmjen e sotme, duke zhvlerësuar tentativën e berlinezëve për të marrë të paktën një pikë në “Allianz Stadium”.

Bayerni kaloi në avantazh në minutën e 40’ dhe në fillim të pjesës së dytë Lewa shënoi edhe golin e dytë, por reagimi i Herthës ishte mjaft i mirë dhe fillimisht me Cordoba e më pas me Cunha, arritën të rikthejnë baraspeshën.

Minutat e fundit ishin vërtetë emocionuese, pasi Lewandowski shënoi golin e tretë në minutën e 85-të, ndërsa 3 minuta më vonë Hertha e Berlinit riktheu sërish baraspeshën, duke dhënë idenë se do të merrte të paktën një pikë në këtë transfertë.

Megjithatë në minutën e dytë shtesë arbitri akordoi një 11-metërsh për bavarezët dhe nga pika e penalltisë shkoi Lewandowski, që gjuajti saktë dhe kompletoi pokerin personal, por njëkohësisht i dha fitoren Bayernit.

Top Channel