Një gjykatës federal ndaloi të enjten punën e një komisioni të strukturave të zbatimit të ligjit të krijuar nga administrata Trump, duke thënë se kishte shkelur ligjin për dëgjesat publike. Por sipas dokumetave të siguruara ekskuzivisht nga agjencia e lajmeve Reuters komisioni ishte paralajmëruar prej anëtarëve të tij se po linte jashtë mendimin e publikut.
Komisioni planifikonte të bënte propozime që rekomandonin kompetenca të reja për policinë pak para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, thuhet në dokumentet që shqyrtoi Reuters. Sipas një projekt-propozimi bëhej thirrje për forcimin e mbrojtjes për oficerë të akuzuar për shkelje. Por procesi sekret për të përgatitur raportin e planifikuar kishte nxitur kritika nga disa përfaqësues të zbatimit të ligjit të përfshirë për të ndihmuar në hartimin e dokumentit, gjë që e tregojnë shkëmbimet e brendshme nëpërmjet postës elektronike mes anëtarëve të komisionit.
Urdhri për të ndaluar punën e komisionit, nga gjyqtari federal John Bates, erdhi si përgjigje ndaj një padie të ngritur nga Fondi për Mbrojtje Ligjore dhe Edukim, një ndër degët e Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Popullatës me Ngjyrë (NAACP LDF) nën pretendimet se komisioni nuk kishte informuar mbi seancat dëgjimore publike dhe se kishte lejuar strukturat e zbatimit të ligjit të kenë fuqi të tepruar.
18 anëtarët e komisionit përfshijnë përfaqësues të zbatimit të ligjit në nivel shtetëror dhe lokal, por asnjë grup që mbron të drejtat civile apo avokatë mbrojtës. Mes atyre që paralajmëruan komisionit për procesin e tij të mbyllur ishte Shefja e Policisë së qytetit Fayetteville të Karolinës së Veriut Gina Hawkins, një nga anëtaret e komisionit. Në një email që daton 11 maj, shqyrtuar nga Reuters, ajo i shkruate kryetarit të komisionit Phil Keith se hartimi i rekomandimeve pa dëgjuar nga të gjitha palët krijoi përshtypjen e një përfundimi të paracaktuar.
Më pas më 13 gusht ajo ishte ankuar se varianti paraprak përmbante shumë citime të zotit Trump dhe zoti Barr (Prokurori i Përgjithshëm), në vend të ekspertëve që ofruan kontributin e tyre në komision, duke shtuar se puna “nuk duhet të jetë kurrë politike”. Zonja Hawkins nuk pranoi të komentojë. Zoti Keith gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë Kristina Mastropasqua tha se zoti Keith i kishte thënë zonjës Hawkins se raporti nuk do të ishte përfundimtar derisa të merreshin të gjitha mendimet. Më 29 maj dy prokurorë lokalë të caktuar në grupe më të vogla pune që mbështesin komisionin, John Choi i komunës Ramsey të Minesotës dhe Mark Dupree i komunës Wyandotte të Kansasit i shkruanin komisionit duke i shprehur shqetësimin se rekomandimet e tij nuk do të adresonin mjaftueshëm “pabarazitë racore në polici” dhe se do të “dëmtonin lirinë e veprimit të prokurorëve”.
Që nga ajo kohë zoti Choi ka kërkuar që emri i tij të hiqet nga raporti përfundimtar. Ai i tha agjencisë Reuters se komisioni nuk pranoi t’i jepte qasje tek procesi i hartimit të rekomandimeve nga grupe të tjera pune. Zoti Dupree nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë mbi punën e komisionit apo vendimin e gjykatës, duke ia adresuar çështjen Departamentit të Drejtësisë. Para vendimit të gjyqtarit Bates të enjten, zoti Mastropasqua nuk pranoi të komentonte mbi aspekte të tjera të punës së komisionit ose projekt-propozimet e shqyrtuara nga Reuters. Zëdhënësja e departamentit Kerri Kupec nuk pranoi të komentonte rreth vendimit.
Gjatë prezantimit të komisionit vitin e kaluar, zoti Trump paralajmëroi se do të hartohej një raport që do të duartrokitej nga forcat e zbatimit të ligjit. Në një konferencë të shoqatës ndërkombëtare të Shefave të Policisë (IACP) ai tha se administrata do të fillojë menjëherë zbatimin e rekomandimeve më të mira të komisionit sapo ato të jenë gati./VOA
Top Channel