Kohë pandemie/ 1,000 mësues do të shtohen për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë

30/09/2020 19:22

Me miratim të Këshillit të Ministrave u vendos sot shtimi i 1,000 mësuesve për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë gjatë periudhës së pandemisë në vitin shkollor 2020-2021.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi. Në një postim në Facebook, Kushi shkroi:

“Me këtë lajm e nisa sot takimin me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore arsimore, me të cilët diskutuam mbi mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe zgjidhjen e shqetësimeve të shfaqura gjatë kësaj periudhe. Në këtë kuadër, i falënderova për përballimin me sukses të nisjes së vitit të ri shkollor dhe kërkova që akoma me më tepër përkushtim të mbajnë në vëmendje maksimale respektimin e masave anti-COVID në çdo institucion arsimor, si dhe të shtojnë përpjekjet dhe inspektimet në terren në mënyrë që të garantohet se rregullat zbatohen nga të gjithë. Sa më rigorozë që të jemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër, dhe njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor”.

Top Channel