Tiranë- Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Ardi Veliu nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, me synim përmirësimin e koordinimit në trajtimin e materialeve kallëzuese që lidhen kryesisht me viktimat akuzuese.
Përmes këtij memorandumi të dy institucionet angazhohen të bashkëpunojnë për të përmirësuar procedurat e trajtimit të kallëzimeve, objekt i këtij Memorandumi.
Marrëveshja vjen pas konstatimit të një sërë problemesh të hasura në zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, mbi viktimën akuzuese dhe në referimet e tjera të Policisë Gjyqësore, që nuk përmbajnë elementë të veprave penale.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit do të koordinojnë veprimtarinë e tyre përmes nxjerrjes së udhëzimeve që do të shmangin zvarritjet që shkakton praktika e deritanishme në trajtimin e çështjeve.
Marrëveshja përcakton instrumente të posaçme që do të sjellin uljen e numrit të referimeve të dërguara nga Policia në prokurori, për disa vepra penale, për të cilat Kodi i Procedurës Penale parashikon të drejtën e viktimës për t’iu drejtuar drejtpërdrejt gjykatës.
Kjo do të rrisë efiçencën e punës në të dy institucionet dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Top Channel