Izraeli ka shkatërruar më shumë se 500 struktura në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Rripin e Gazës këtë vit, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, zyra e OKB-së tha se 506 ndërtesa u rrafshuan nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor me pretekstin e mungesës së lejes së ndërtimit. Sipas deklaratës, në total 134 struktura u shembën në Kudsin Lindor.
OCHA tha se forcat izraelite rrëzuan 22 ndërtesa gjatë dy javëve të fundit, duke shkaktuar zhvendosjen e 50 palestinezëve dhe duke shkaktuar dëme tek rreth 200 të tjerë.
Sipas zyrës së OKB-së, tetë rrënime nga 12 në Kudsin Lindor u kryen nga vetë pronarët për të shmangur gjobat dhe tarifat e vendosura nga autoritetet izraelite.
Dhjetë strukturat e tjera të shkatërruara ishin në Zonën C, e cila zë rreth 60 për qind të territorit të Bregut Perëndimor.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, gjatë luftës në Lindjen e Mesme të vitit 1967. Izraeli justifikon prishjen e shtëpive palestineze se nuk posedojnë lejet e ndërtimit, pavarësisht nga fakti se Izraeli nuk u jep leje të tilla palestinezëve.
Top Channel