Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e një operacioni tokësor në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, por pa dhënë detaje konkrete.
Në një intervistë për Fox News, ai tha se nuk dëshiron një ndërhyrje të tillë, por shtoi se, nëse do të ishte e nevojshme, “ka njerëz të tjerë që do ta kryenin operacionin tokësor për ne”, pa sqaruar se kujt i referohej. Sipas analistëve të cituar nga CNN, objektiva të mundshëm për një operacion tokësor mund të jenë Ishulli Kharg, terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit, ose brigjet jugore të vendit përgjatë Gjirit Persik. Megjithatë, ekspertët theksojnë se një zbarkim në territorin iranian, qoftë nga forcat amerikane apo aleate, do të ishte një operacion ushtarak jashtëzakonisht kompleks dhe me rrezik të lartë.
Operacionet amfibe kërkojnë kushte të favorshme në tokë dhe në det, ndërsa forcat mbrojtëse mund të përqendrojnë lehtësisht mbrojtjen në zonat e mundshme të zbarkimit. Po ashtu, edhe anijet që furnizojnë forcat në terren me municione, ushqime, ujë dhe ndihmë mjekësore do të ishin objektiva të cenueshme.Kapiteni i Ushtrisë Amerikane, Daniel S. Hogestyn, shkruan në revistën Military Revieë se zhvillimet e fundit ushtarake kanë zhvendosur balancën e luftës në zonat bregdetare dukshëm në favor të mbrojtësve.
Ndërkohë, sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, në rajon ndodhet Njësia e 11-të Ekspedicionare e Marinsave (MEU), me mbi 2.000 trupa, e vendosur në anijet e Grupit Amfib të Gatishmërisë USS Boxer. Kjo njësi është e specializuar në operacione amfibe, bastisje, evakuime dhe misione të shpejta luftarake, ndërsa përfshin edhe komponentë tokësorë, ajrorë dhe elementë të trajnuar për operacione speciale.
Gjithashtu, Ushtria Amerikane ka në gatishmëri Forcën e Reagimit të Menjëhershëm të Divizionit të 82-të Ajror, e cila mund të dislokohet brenda pak orësh për misione si marrja nën kontroll e porteve ose aeroporteve strategjike.
Top Channel