Nagavci reagon pasi LDK hoqi vijat e kuqe për PDK-në: E dinë që me LVV-në s’mund të bëjnë pazare

26/09/2020 22:13

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci ka reaguar pas deklaratës së kreut të LDK-së, Isa Mustafa, që tashmë kanë larguar të gjitha vijat e kuqe për PDK-në dhe se pa njërën nga partitë opozitare nuk mund të zgjedhet presidenti.

Nagavci ka thënë se është mirë që LDK ka deklaruar se kanë hequr vijat e kuqe për PDK-në, dhe se kjo është më e qartë për ata që kanë besuar në krerët e kësaj partie.

“Kryetari i LDK-së, zt. Mustafa paska deklaruar që për postin e Presidentit duhet të flas me LV! ose PDK-në, sepse pa njërën nga këto parti s’mund të zgjedhet Presidenti. Ndërkohë ka thënë se duhet të hiqen vijat e kuqe për PDK, duke treguar se kah po shkojnë si parti. Mirë që edhe deklarativisht i kanë hequr vijat e kuqe, më e qartë për ndokënd që eventualisht akoma ka besuar në krerët e LDK-së”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej ajo ka thënë se LDK e dinë që me LVV-në nuk bëhen pazare, dhe se pa këtë parti nuk mund të zgjedhet presidenti.

“E vërteta është jo pa njërën nga këto parti, por vetëm pa VETËVENDOSJE! s’mund të zgjedhet Presidenti/ Presidentja dhe këtë e dinë mirë, ashtu sikurse e dinë që me LV! s’mund të bëjnë pazare. Zgjedhje”, është shprehur Nagavci.

Ndryshe, sot kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka njoftuar se kanë hequr vijat e kuqe për PDK-në, dhe se kjo ka ndodhur pas vështirësive për të bërë zgjidhje.

Top Channel