Zyra e Prokurorit të Specializuar  ka reaguar me anë të një njoftimi zyrtar lidhur me arrestimin e Kreut të Organizatës së Veteranëve të UÇK, Hysni Gucatin.

Sipas kësaj komunikate të shpërndarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar  thuhet se Hysni Gucati u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim. 

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në. Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur”

Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Hysni Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Hysni Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftohet më vonë.

Top Channel