Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja miratoi kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit për periudhën 28 shtator-16 tetor. Konferenca vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 1 tetor, 8 tetor dhe 15 tetor.
Ndërkohë Top Channel mëson se Konferenca e kryetarëve ka vendosur që draftet për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore të shqyrtohen nga komisioni i ligjeve dhe në seancën e datës 1 tetor të futen në rend dite.
Konferenca e Kryetarëve vendosi që seancat plenare do të vazhdojnë të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve, duke respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga pandemia Covid-19. Konferenca e Kryetarëve vendosi që mbledhjet e komisioneve do të vazhdojnë të zhvillohen online.
Në përfundim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nënvizoi se miratimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale në kuadrin e reformës zgjedhore do të përbëjë një përparësi të punës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë javëve të ardhshme. Mbledhja e zhvillua me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).
Top Channel