Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka përshëndetur aksionin e mbrëmshëm të Policisë së Kosovës në zonën kufitare të Karaçevës, por thotë se është shqetësuese që operacionet konfidenciale bëhen objekt i konfrontimeve të ulëta politike nga VV dhe LDK.
Po ashtu Ismaili ka thënë se Albin Kurti ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe sigurinë e policëve dhe udhëheqësve të këtij operacioni.
Ky është postimi i tij i plotë:
Policia e Kosovës, me aksionin e ndërmarrë në zonën kufitare të Karaçevës, goditi krimin dhe dërgoi sinjal të qartë për të gjithë ata që kanë zgjedhur për veprimtari të tyre kazinotë – tashmë të ndaluara me ligj.
Mirëpo, është shqetësuese që operacionet konfidenciale bëhen objekt i konfrontimeve të ulëta politike nga VV dhe LDK.
Nga përplasjet në Kuvendin e Kosovës dhe nga studiot televizive, kuptuam se ish Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të marrë masa kundër krimit të organizuar. Edhe pse u tha se gjithçka kishte qenë gati për këtë operacion, Kurti ishte bërë avokat i këtij aktiviteti – duke zgjedhur mosveprimin. Por, nuk zgjodhi heshtjen. Në një intervistë televizive, Kurti rrëfen me qetësi se kishte refuzuar dy herë planin e policisë për goditjen e krimit.
Me zbulimin e këtij informacioni – se po mendohej të goditej krimi në Karaçevë, Kurti ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe sigurinë e policëve dhe udhëheqësve të këtij operacioni. Pra, këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi të dyfishtë:
1. Pengimin e marrjes së vendimit.
2. Zbulimin e informacionit se një operacion i tillë është duke u përgatitur.
Me të parën, Kurti tregoi se heziton t’i dalë përballë krimit. Me të dytën, ai i paralajmëroi dhe informoi paraprakisht dhe publikisht kazinotë për një operacion të tillë, duke u dhënë kështu mundësi për t’u kujdesur në mbulimin e krimit.
Top Channel