Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur një letër kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, letër Ekaterina Trendafilovas, rreth kërkesës së paraqitur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbi ndryshimet kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në letrën e saj, Osmani kërkon shqyrtim paraprak nëse ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore. Në 25 gusht,  Thaçi iu drejtua Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozimin për amendimin e Kushtetutës lidhur me zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të tij, mandati “duhet të  zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Europian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti.

Top Channel