Kreu i delegacionit të Beogradit në bisedimet me Kosovën, Marko Gjuriç ka thënë të enjten në Bruksel se pala serbe kushtëzon përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Pas përfundimit të bisedimeve mes dy delegacioneve, ku është diskutuar për pretendimet financiare mes dy vendeve, Gjuriç tha se “një takim i mundshëm në të ardhmen i nivelit më të lartë mes dy vendeve, do të varet nga gatishmëria e Prishtinës për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin”.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Më këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Temat që ata përcaktojnë diskutohen më tej nga ekipet e ekspertëve të të dyja vendeve.

Gjuriq tha se delegacioni i Beogradit gjatë bisedimeve të së enjtes ka insistuar që tema e Asociacionit të jetë si tema e parë e bisedës, por, sipas tij, një gjë e tillë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Prishtinës.

Edhe kreu i delegacionit të Kosovës, Skender Hyseni, tha më herët se ka kundërshtuar hapjen e bisedimeve për Asociacionin.

Ai tha se palët kanë qëndrime shumë të kundërta për temën e pretendimeve financiare, e cila është diskutuar të enjten.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, i cili ndërmjetësoi bisedimet e së enjtes në Bruksel, tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se diskutimet mbi pretendimet e ndërsjella financiare dhe pronën, kanë konfirmuar ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Ai tha se diskutimet do të vazhdojnë, mirëpo pa dhënë detaje se kur do të jetë data tjetër e takimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA