Shkencëtarët në shtetin e Pensilvanisë të SHBA-së kanë arritur të izolojnë molekulën më të vogël biologjike deri më tani që neutralizon virusin SARS-CoV-2, i cili shkakton Covid-19.
Molekula, e cila thuhet se plotësisht dhe specifikisht neutralizon virusin, është 10 herë më e vogël se një antitrup i madhësisë së plotë, thanë shkencëtarët të hënën në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Pitsburgut. Ajo përdoret për bërjen e ilaçit të njohur si “Ab8” për përdorim të mundshëm kundër koronavirusit.
Ab8 është shumë efektiv në parandalimin dhe trajtimin e infeksionit SARS-CoV-2 tek minjtë dhe brejtësit, thanë ata, duke shtuar se “nuk lidhet me qelizat njerëzore, që është një shenjë e mirë se nuk do të ketë efekte anësore negative tek njerëzit”.
“Ab8 jo vetëm që ka potencial si terapi për COVID-19, por gjithashtu mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit që të mos preken nga infeksione të SARS-CoV-2”, tha në një deklaratë John Mellors, shefi i Divizionit të Sëmundjeve Infektive dhe Qendrës Mjeksore në Universitetin e Pitsburgut.
Ndërsa shkencëtarët dhe kompanitë amerikane po garojnë për të dalë me një vaksinë kundër Covid-19, vendet e tjera gjithashtu janë duke bërë përparim.
Rusia miratoi një vaksinë në gusht pavarësisht se ekspertët perëndimorë shprehën shqetësime në lidhje me mungesën e testimit adekuat, kurse kompania kineze Sinovac Biotech njoftoi më 6 shtator se 90 për qind e punonjësve të saj dhe familjeve të tyre kanë marrë një vaksinë eksperimentale.
Kina të martën deklaroi se vaksina mund të jetë në dispozicion për publikun që nga nëntori, sipas Wu Guizhen, kreut të biosigurisë në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i cili vetë mori një vaksinë eksperimentale në prill.
Ndërsa Kina njihet si vendlindja e koronavirusit të ri, vendi gjithashtu llogarit nëntë nga 30 vaksinat në gjithë botën që janë aktualisht duke u testuar te njerëzit. Universiteti i Hong Kongut gjithashtu deklaroi javën e kaluar se një vaksinë në formë të spërkatësit për hundë është duke hyrë në teste klinike.
Përsa i përket kërkesës, disa qeveri kanë vendosur tashmë plane për të marrë miliona vaksina që t’i kenë në dispozicion për publikun e tyre sa më shpejt që ato të bëhen të disponueshme.
Administrata amerikane e presidentit Donald Trump zbatoi Operacionin Warp Speed, i cili ofron që të paguajë Pfizer dhe BioNTech 1,95 miliard dollarë për 100 milionë doza nëse vaksina e tyre rezulton “e sigurt dhe efektive”, dhe një marrëveshje prej 1,6 miliard dollarë me Novavax për të prodhuar dhe shpërndarë 100 milionë doza deri në janarin e ardhshëm.
Koreja e Jugut do të blejë 20 milionë doza nga COVAX Facility, plani i Aksesit Global të Vaksinave kundër Covid-19 i udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të shpërndarë dozat në mënyrë të drejtë, dhe 40 milionë doza të tjera nga kompanitë private të ilaçeve.
SHBA ka më shumë se 6,5 milionë raste dhe më shumë se 194 mijë vdekje nga Covid-19, sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins. Globalisht, shifrat janë pothuajse 29,3 milionë infeksione dhe më shumë se 928 mijë vdekje. AA
Top Channel