Pas marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator, sot janë nënshkruar edhe Letrat e Interesit për financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes ekonomike të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në prani të presidentit Donald Trump.
Letrat e Interesit janë nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit në SHBA Adam Boehler dhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit Kimberly Reed, për financimin e projektit që parashihet të lidhë Prishtinë dhe Nishin.
Boehler me këtë rast tha se ’Autostrada e Paqes’ do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin dhe Prishtinën, dhe do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis Kosovës dhe Serbisë si vende fqinje.
DFC dhe EXIM planifikojnë të dërgojnë delegacione në Beograd dhe Prishtinë më vonë këtë muaj për të çuar përpara punën në Autostradën e Paqes dhe projekte të tjera.
Top Channel