Protestat sot në rafinerinë e Ballshit/ Rama me presidentin e Azerbajxhanit: Folëm dhe kërkuam angazhimin e tij

14/09/2020 16:31

Kryeministri Edi Rama sot në Turqi është takuar edhe me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aljev ku thotë se kanë diskutuar edhe për çështjen e rafinerisë së Ballshit, ku punëtorët sot zhvilluan dhe protesta.

“Me Presidentin e Azerbajxhanit, mikun e mirë Ilham Aljev, vendosëm sot në Turqi disa piketa mbi bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe turizmit.

Prekëm konkretisht edhe çështjen e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentin për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë”, shkruan Rama në Facebook.

Kujtojmë se naftëtarët protestuan paraditen e së hënës përpara hyrjes së Rafinerisë së naftës në Ballsh. Duke mos lejuar futjen e askujt brenda ambienteve të uzinës. Protesta u organizua kundër drejtuesve të rafinerisë, të cilët nuk kanë mbajtur premtimet për nënshkrimin e kontratave individuale, marrjen e pagave dhe rifillimin e punës.

Sot kryeministri Rama gjithashtu u takua në Turqi edhe me Presidentin Erdogan, me të cilin diskutoi një sërë çështjesh që lidhen me ekonominë.

Top Channel