Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që ta ftojë kryeministrin Avdullah Hoti të raportojë për dialogun me Serbinë në një seancë që do të mbahet të enjten, më 17 shtator.

“Kryeministri e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti këtu për dialogun”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media në Prishtinë.

Derisa njoftoi për nisjen e sesionit vjeshtor të kuvendit, Osmani tha se në seancën e së enjtes, pas raportimit të kryeministrit, janë thirrur edhe dy interpelanca, njëra për ministrin e Arsimit, tjetra për ministrin e Punëve të Brendshme.

Osmani po ashtu paralajmëroi se, gjatë sesionit vjeshtor, Kuvendin e Kosovës do ta vizitojnë një delegacion i nivelit të lartë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, si dhe Komisioni për Stabilizim-Asociim i Parlamentit Evropian.

Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guximin drejt përparimit të normalizimit të marrëdhënieve.

Hoti dhe Vuçiq janë takuar edhe më 7 shtator në Bruksel, ku kanë thënë se kanë hapur temat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ato të çështjeve financiare dhe pronësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA