Ndërkombëtarët janë vënë sërish në lëvizje ditën kur palët priten të ulen në tryezën e dialogut politik për reformën zgjedhore.

Dy prej diplomatëve, kumbarë të reformës zgjedhore ai i BE-si Luigi Soreca dhe ai britanik Duncan Norman kanë zhvilluar takime të ndara me Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Diplomati i BE-së ka pasur një bisedë me kreun e shtetit, ndërkohë paralelisht me këtë zhvillim Monika Kryemadhi priti në zyre ambasadorin britanik Norman.

Top Channel mësoi se situata aktuale politike dhe prioritetet e procesit të integrimit në BE ishin temat e prekura në takimin e kryetarit të shtetit me ambasadorin Soreca.

Ndërkohë, burime pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim i konfirmuan Top Channel se fokusi i bisedës ishte nisja e Këshillit Politik dhe përfundimi me sukses i reformës zgjedhore.

Me caktimin e datës së zgjedhjeve ndërkombëtarët po ushtrojnë “presion” tek palët si publikisht ashtu në biseda private për miratimin në kohë të reformës zgjedhore me qellim që me 25 Prill të ketë zgjedhje të gjithëpranuara.

Elda Menga

Top Channel