Gjigandi farmaceutik britaniko-suedez, AstraZeneca ka rifilluar provat eksperimentale për vaksinën kundër Covid-19, pasi mori autorizimin e kontrollorëve të sigurisë, deklaroi kompania të shtunën.

“Provat klinike për vaksinën që po zhvillon AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, AZD1222, kanë rifilluar në Britani, pas konfirmimit nga Autoriteti Rregullator për Mjekësinë dhe Shëndetësinë”, tha kompania në një deklaratë.

Studimet në fazat e fundit të vaksinës së mundshme të kompanisë AstraZeneca për COVID-19, u pezulluan përkohësisht të martën ndërsa kompania hetonte nëse një sëmundje “e pashpjegueshme” e një vullnetari që ka marrë vaksinën, ishte një efekt anësor i saj. Kompania tha se “procesi i saj standard i kontrollit, shkaktoi një pauzë të vaksinimit për të analizuar të dhënat e sigurisë” dhe se ndalja e testimit është një “veprim rutinë, që duhet të ndodhë sa herë ka një sëmundje ndoshta të pashpjegueshme në ndonjë nga testimet, ndërkohë që bëhen hetime për t’u siguruar integriteti i testimeve”.

Vaksina e AstraZenecas është një nga nëntë të mundshmet që kanë hyrë në fazën e tretë të provës ndër njerëz në gjithë botën. Muajin e kaluar AstraZeneca filloi të rekrutonte 30 mijë vetë në Shtetet e Bashkuara për studimin më masiv të saj për këtë vaksinë e cila po testohej para ndërprerjes edhe në grupe më të vogla në Brazil dhe vende të tjera të Amerikës së Jugut.

Top Channel