Ndikoi pandemia e Covid-19/ Defiçiti buxhetor i SHBA-së shkon në më shumë se 3 trilion dollarë

12/09/2020 08:08

Defiçiti buxhetor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shkuar në më shumë se 3 trilion dollarë, një shifër rekord, e nxitur nga paketat e ndihmës për pandeminë e Covid-19.

Departamenti i Thesarit bën me dije se qeveria federale shpenzoi më shumë se 6 trilion dollarë në 11 muajt e parë të vitit duke përfshirë këtu 2 trilion dollarë ndihma gjatë periudhës së izolimit nga pandemia e koronavirusit. Ndërkohë nga taksat qeveria mori diçka më shumë se 3 trilion dollarë.

Defiçiti i këtij viti ka kaluar edhe atë të vitit 2009, ku sipas përllogaritjeve në vlerë është sa dyfishi i tij. Kujtojmë që defiçiti në vitin 2009 u krijua nga kriza ekonomike botërore e vitit 2008.

Deri para pandemisë parashikohej që këtë vit financiar SHBA të kishte një defiçit prej 1 trilion dollarë, por shpenzimet e aprovuara në përpjekje për të zbutur ndikimin financiar që solli pandemia e koronavirusit, bëri që defiçiti t’i kalonte parashikimet.

Gjithashtu pritet që borxhi i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të tejkalojë vlerën e 26 trilion dollarëve.

Top Channel