Athina zyrtare ka shprehur kënaqësinë për mbështetjen dhe solidaritetin që kanë dhënë liderët e vendeve të Mesdheut Jugor në Konferencën Euromesdhetare në Korsikë, sa i përket tensionit mes Greqisë dhe Turqisë, apo edhe Qipros e Turqisë, në përpjekjet e kësaj të fundit për të zhvilluar kërkime për rezerva natyrore në zona detare të Mesdheut lindor, të cilat Athina dhe Nikosia pretendojnë se janë nën sovranitetin e tyre.

“Konkluzionet  e samitit të vendeve të jugut evropian sot i dërgojnë një mesazh shumë të qartë Turqisë dhe i tregojnë rrugën, nëse ajo dëshiron një dialog të ndershëm me Greqinë, Qipron dhe BE-në, ajo duhet ta provojë atë në praktikë”, deklaroi Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

Ashtu si edhe gjatë gjithë kësaj periudhe, përsëri Franca i ka dalë në krah Greqisë, por në të njëjtën gjatësi vale, në një përpjekje të vazhdueshme diplomatike të uljes së tensionit, kanë qenë edhe kryeministrat e Italisë, Spanjës dhe Portugalisë.

“Në thelb qëllimi ynë është me të vërtetë të rivendosim marrëdhëniet normale që lejojnë stabilitetin në rajon me Turqinë, që duhet t’u japë fund veprimeve të njëanshme, të jetë në gjendje t’u japë fund kërkimeve detare dhe padyshim të ketë respekt të plotë për embargon e armëve për të gjitha fuqitë e rajonit në Libi”, u shpreh presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Por hapi prioritar, një premisë themelore, është të shprehësh solidaritet të fortë,pra  jo vetëm ideal, por konkret për miqtë ne Greqi dhe Qipro, përballë veprimeve të njëanshme turke,  ashtu si edhe Italia si  nje anëtare e BE ka bere dhe do te vazhdoje te beje edhe ne te ardhmen”, tha kryeministri italian Giuseppe Conte.

Turqia vë në dyshim të drejtat sovrane të dy shteteve anëtare të BE-së, ka deklaruar Mitsotakis, i cili ka pasur edhe një bisedë personale me presidentin francez në kuadër edhe të marrëveshjeve të rëndësishme ushtarake që Athina e Parisi pritet të nënshkruajnë.

Ndërkohë kreu i diplomacisë turke, Mevlüt Cavusoglu gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian kërkoi që BE-ja të qëndrojë e paanshme në mosmarrëveshjen e Turqisë me Greqinë dhe Qipron, pasi nuk ka juridiksion mbi kufijtë detarë ne Mesdhenu lindor.

“Pse çdo herë vetëm Turqia duhet të tregojë vullnetin e saj të mirë? Pse jo Greqia? Pse jo grekoqipriotët? A ka ndonjë koleg në këtë dhomë që të pyesë sot grekoqipriotët pse nuk janë të gatshëm për ndarjen e drejtë të të ardhurave nga rezervat detare?”, u shpreh ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoglu.

Athina shpreson që në samitin e lartë në 24 dhe 25 shtator, BE-ja do të duhet  të vendosë sanksione ekonomike  ndaj Ankarasë, nëse Turqia nuk heq dorë nga veprimet e njëanshme duke  larguar anijet e kërkimit nga zonat detare, të cilat ajo i konsideron se i përkasin Greqisë dhe nëse nuk ulet në tryezën e bisedimeve.

Aleksandër Marku

Top Channel