Në Kosovë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor për disa klasa, duke filluar nga 14 shtatori.

Këtë e konfirmon zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, sipas të cilit kanë qenë të nevojshme përgatitje shtesë për të ofruar siguri në kohë pandemie. Rexhaj tha se, më 14 shtator, pritet të nisë mësimi në shkollë për klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta, ndërsa në disa shkolla edhe për klasat e katërta dhe të pesta.

Klasat e shtata, të teta, të nënta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta do të nisin më 21 shtator, tha Rexhaj. Sipas tij, nxënësit e klasave të fazës së parë do t’i ndjekin mësimet me orar të shkurtuar dhe do të jenë të pranishëm në shkollë, ndërsa nxënësit e klasave të fazës së dytë do të jenë dy ditë në shkollë dhe tri ditë online.

Rexhaj po ashtu tha se klasat do të jenë të zvogëluara, për të siguruar distancën 1.5 metër nga nxënësi në nxënës. Gjatë ditës ka patur edhe një takim mes Ministrit të Arsimit dhe Shkencës,Ramë Likaj dhe atij të Shëndetësisë, Armen Zemaj, me fokus pikërisht tek fillimi i vitit të ri shkollor.

“Fillimi i mësimit do të organizohet në mënyrën e duhur në këto rrethana të krijuara nga pandemia Covid-19, të gjitha vendimet e nevojshme do të merren në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë, IKShPK-në, Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera relevante”, shkruajti Zemaj në Facebook pas takimit. Qeveria e Kosovës i ka mbyllur institucionet arsimore qysh në mes të marsit, kur edhe janë shfaqur rastet e para me koronavirus. Pjesën e mbetur të vitit shkollor, nxënësit e kanë ndjekur online.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA