Në Kosovë janë siguruar 120 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal. Aplikimi i kësaj vaksine pritet të bëhet në fillim të muajit tetor, kur edhe fillon sezoni i gripave. Por, ky numër pritet të shumëfishohet për shkak të pandemisë.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se këtë vit është shumë e rëndësishme që grupet e rrezikuara të vaksinohen, meqë diagnostikimi i gripit sezonal me pandeminë e Covid-19, sëmundje që e shkakton koronavirusi, janë të ngjashme.
Ata thonë se dallimi mes këtyre viruseve është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka. Ndërkaq, sa i përket simptomave, ka ngjashmëri, si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre,dhimbje kokë etj.
Mikrobiologu Lul Raka thotë për Radion Evropa e Lirë se përpos 120 mijë dozave të vaksinës kundër gripit sezonal që i ka siguruar Qeveria e Kosovës, pritet që edhe 380 mijë doza të tjera të kësaj vaksine të arrijnë në vend, në mënyrë që të rritet numri i personave në Kosovë që do të imunizohen.
“Me nisjen e sezonit të dimrit, do t’i kemi dy armiq përballë, do ta kemi edhe COVID-19, e që po ballafaqohemi qe disa muaj, por edhe gripin sezonal. Edhe në aspektin e diagnostikimit do të kemi problem, meqë simptomat mund të jenë të njëjta, dhe nëse kësaj ia shtojmë faktin që testimet janë të pamjaftueshme për shkak të numrit të madh të rasteve, atëherë kjo do ta vështirësojë edhe më tepër menaxhimin e pandemisë”, thotë Raka.
“Prandaj, për gripin e që kemi opsione siç është vaksinimi , atëherë unë inkurajoj qytetarët sidomos grupet e rrezikuara, që patjetër të vaksinohen, në mënyrë që ta përballojmë më lehtë edhe gripin por edhe pandeminë”, shton ai.
Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon, dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim, thotë Sami Uka, kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Sipas tij, vaksinat do të shpërndahen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, në mënyrë që të shmanget grumbullimi i njerëzve në pika të caktuara.
“Nëse gjithçka shkon sipas planit, ne do të fillojmë në muajin tetor, t’i vaksinojmë njerëzit. Rreth 120 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, mendoj se janë të mjaftueshme për fillim. Kjo vaksinë jepet falas për qytetarët, dhe (dozat) do të shpërndahen në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjarë afër vendbanimit të qytetarëve’’, bën të ditur Uka.
Vaksinat kundër gripit sezonal që tashmë i ka marrë Qeveria e Kosovës, janë siguruar përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara UNICEF, derisa Ministria e Shëndetësisë i ka paguar ato.
Drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se për dallim nga vitet paraprake, kur zakonisht i kanë marrë nga rreth 100 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, këtë vit është menduar të shumëfishohet numri i vaksinimit, për shkak të pandemisë me Covid-19.
“Vitet paraprake janë siguruar nga 100 mijë doza vaksina kundër gripit sezonal, dhe kanë qenë sasi optimale për t’i mbuluar grupet e rrezikut. Këtë vit rritja ka paraparë mbulueshmëri më të madhe me vaksinë kundër gripit sezonal edhe për shkak të Covid-19, me qëllim që sa më shumë kategori risku të mbulohen me vaksinim për të parandaluar një ndërveprim midis Covid-19 dhe virusit të influencës në dëm të shëndetit të grupeve më të rrezikuara. Kemi planifikuar t’i marrim rreth 500 mijë doza vaksine kundër gripit sezonal në total “, thekson Hoti.
Përpos kategorive të rrezikuara siç janë moshat mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, mikrobiologu Lul Raka tha se është shumë e rëndësishme që edhe punëtorët shëndetësorë të vaksinohen kundër gripit sezonal.
“Imunizimi i punëtorëve shëndetësorë është shumë i rëndësishëm, pasi është një komponentë e rëndësishme e përballjes, meqë do t’i kemi dy virus në qarkullim”, thekson Raka.
Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla , në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka thënë se meqë gradualisht po afrohet sezona e vjeshtës dhe dimrit, e që nënkupton qarkullim e viruse të tjera të gripit, një hap i rëndësishëm është që Kosova të vaksinojë një numër sa më të madh të personave ndaj gripit sezonal.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal.
Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, për këtë gjë, autoritetet kishin shpallur atëherë gjendjen epidemike të gripit. Derisa për vitin 2019 nuk kanë të dhëna për vdekje të personave me grip sezonal.
Top Channel