Vijon puna për shkollat e reja “Nënë Tereza” dhe “John F. Kennedy” në Kodër Kamëz

08/09/2020 19:29

Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” dhe shkolla e mesme “John F. Kennedy” në Kodër Kamëz, po ndërtohen si dy nga shkollat më moderne të Tiranës, që do të presin dy mijë nxënës.

Ata do të kenë mundësi të arsimohen si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë, pa qenë nevoja të udhëtojnë për në shkolla të tjera më larg. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetët e PS, Ulsi Manja dhe Ervin Bushati, inspektuan kantierin e punimeve për dy shkollat, të cilat janë një investim shumë i rëndësishëm për Njësinë 11.

“Sot është një ditë e shkëlqyer për Njësinë 11, e cila është zmadhuar me ritme më të shpejta se e gjithë Tirana. Ka dy mënyra sesi mund ta shohim të ardhmen e të rinjve dhe investimin për ta: Njëra është të hapim nga një birrë në vit në Jalë dhe të themi sa shumë na dhemb për rininë; kurse, mënyra tjetër, që është mënyra jonë, duket pak më e mundimshme, por ka më shumë duk: të investojmë në shkolla si këto, që duken si jashtë shtetit, me të gjitha kushtet”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Ai nënvizoi se falë këtij investimi, fëmijët e zonës nuk do të torturohen sa në një zonë në tjetrën me autobusë për të shkuar në shkollë. “Këtu kemi krijuar një shtëpi për qytetarë të mirë, jo vetëm të Kodër-Kamzës, Institutit dhe Laprakës, por të të gjithë Tiranës. Me cilësinë e punimeve që po bëjmë këtu, besoj se nuk ka asnjë arsye të torturojmë fëmijët me autobusë lart e poshtë, për të shkuar në një shkollë më afër qendrës, sepse falë portalit do të kemi një mundësi fantastike që mësuesit më të mirë do të vijnë te shkolla e re”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se Bashkia dhe PS është e vendosur që të çojë deri në fund premtimet e dhëna. “Mësimi i parë është se sherri i madh vetëm e vonon punën. Por, gjërat e mira do të bëhen. Ne si progresistë, si socialistë, si bashki, si qeveri, nuk dorëzohemi, por thjesht na merr më shumë kohë. Ndaj, shpresoj që lidershipi i ri i Universitetit Bujqësor ta shohë si potencial këtë investim në tokën private – jo në tokë publike, por në tokë që bashkia e shpronësoi nga një privat – ta shohë si ‘fidanishte’ ku do të rriten studentët e tyre të ardhshëm”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se asnjëherë më parë Kodër Kamza nuk ka njohur investime të tilla. Ai deklaroi se ndryshe nga administrata e mëparshme e bashkisë që fushën e Laprakës donte ta jepte për pallat, kjo Bashki ia ktheu sërish komunitetit. “Në fund flet puna! I kam dëgjuar edhe ish-deputeten, edhe deputeten, edhe ish-kryetarin e Bashkisë, që thonin do bëhen pallate. Patjetër, sepse vetë i kishin nisur dhe firmosur për pallate. Por, erdhi administrata e re dhe jo, sepse fusha e Laprakës ka një kuptim për atë komunitet që nuk shlyhet me një leje ndërtimi. A do të ketë ndërtime në Tiranë? Patjetër që do të ketë, në tokë private, sipas kushteve, do ndërtojnë, ta gëzojnë pronën, të strehohen edhe të tjerët, sepse të gjithë këta njerëz që vijnë ku do jetojnë? Por, jo në vende si Fusha e Laprakës, që kanë qenë gjithmonë e hapur për publikun”, sqaroi ai, teksa tha se strategjia e zgjedhur në Tiranë është vetëm puna.

“Strategjia jonë në Tiranë është të mos merremi me llafe. Në anën tjetër kemi njërin që, teksa flet për krizë ekonomike, si kudo prej pandemisë, është i vetmi që ka shtuar shtëpitë. Misioni ynë është të rrimë të fokusuar, të flasim vetëm me vepra dhe të bëhet kontrasti midis atyre që punojnë dhe mbajnë fjalët, dhe atyre që shpifin me shpresën se diçka do ngjisë, siç nuk ka ngjit asgjë sepse është puna që flet”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i PS së Tiranës, Ervin Bushati theksoi se ky investim është treguesi më i qartë se kur bëhemi bashkë, komuniteti përfiton një standard tjetër jetese. “Kjo mund të quhet Akademia e Laprakës, është fantastike që shkolla më e madhe e ndërtuar deri më tani në Shqipëri është në Laprakë. Kjo tregon se kur bëhemi bashkë dhe mendojmë për më të mirën e komunitetit, edhe aty kur duket sikur çështjet nuk kanë zgjidhje, i japim komunitetit shkolla, mjedise publike të kësaj cilësie”, deklaroi Bushati.

Deputeti i PS në zonë, Ulsi Manja shprehu mirënjohjen ndaj kryebashkiakut Veliaj për vëmendjen e vazhdueshme për Njësinë 11. “Si deputet i Laprakës, nuk e fsheh dot kënaqësinë që Lapraka, po kthehet dita-ditës në një qendër të rëndësishme zhvillimi urban, kulturor, arsimor, falë investimeve të Bashkisë së Tiranës dhe kujdesit personal të kryetarit të Bashkisë. Gjatë gjithë muajit Korrik dhe Gusht, kryetari i Bashkisë dhe i gjithë stafi i Bashkisë së Tiranës kanë qenë prezent në Laprakë. Ka qenë një zonë tërësisht informale dhe tani po kthehet në një qendër të madhe zhvillimi”, u shpreh Manja.

Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” dhe shkolla e mesme “John F. Kennedy”, janë pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë, të cilat rrisin cilësinë e mësimdhënies në kryeqytet.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA