Në kujtim të Nënë Terezës

Nga MONIKA STAFA

Historia e Shqipërisë është një histori e vështirë, po ashtu dhe periudhat që kanë qëndruar midis saj. Politikanë që kanë sunduar shekullin shqiptar në periudhën mbretërore, në periudhën totalitare dhe në periudhën post-diktaturë; por ka pasur dhe njerëz të mirë, si Nënë Tereza. Lumturimi i së cilës na gëzoi aq fort pak vite më parë.

Në fakt, ata që flasin për “lumturimin” e Nënë Terezës nuk e kanë fjalën për bërjen e saj të lumtur, sepse lumturia është gjendje që përjetohet në të gjallë. Sa i takon lumnimit, ky është një nocion tjetër, që ka të bëjë me nderimin kanonik të njerëzve që kanë bërë mrekullira për botën, një nderim midis bekimit dhe shenjtërimit.

Pikërisht mënyra si u festua atëkohë dita e lumnimit të Nënë Terezës u bë shkak për të shtruar para vetes pyetjen e thjeshtë se si dinë shqiptarët të sillen me nderet në shkallë ndërkombëtare. Viti 2010 u shpall me të drejtë si viti i Nënë Terezës dhe shumë veprimtari u bënë për të: prej ekspozitave e botimeve, deri te përurimi i “Rrugës së Paqes”. “Nëna e të gjithë shqiptarëve”, “shenjtorja e madhe”, “misionarja e dashurisë për njerëzimin” dhe shumë cilësime të tjera krejt të denja e të merituara u thanë për të, për Nënën që nënshkruante thjesht me dy iniciale, “m. ch.” – missione di charitas. Por çuditërisht thuajse nuk u përmend fare se ajo është nobelistja e parë e dalë prej popullit shqiptar, e nderuar me këtë çmim aq të lakmuar dhe aq konkurrent në vitin 1979 prej Akademisë Suedeze të Shkencave, e njohur dhe si Akademia e Nobelit.

Në të vërtetë, 17 tetori është një datë po aq e lidhur me festën në kushtim të Nënë Terezës, datë e dhënies së çmimit “Nobel për Paqen” (kjo ndodhi në vitin 1979), sa dhe 19 tetori, datë në të cilën në vitin 2003 Selia e Shenjtë vendosi të hedhë një hap përpara në rrugën e nderimit të saj. Për të thënë të vërtetën, procesi laik-shekullar i nderimit është një proces i kryer, çmimi “Nobel” është i pakthyeshëm; kurse procesi tjetër, ai i nderimeve kishtare është në të njëjtën nyje të vargorit, i hapur për rrugën e shenjtërimit. Këto dy data, ndoshta jo rastësisht pranë njëra-tjetrës, sikurse janë po kaq pranë dhe misioni i paqes me atë të mirësisë dhe humanizmit, në mos qofshin misione të pandarë, vetvetiu mund të shërbenin si një kujtesë për të mos i ndarë këto dy anë të personalitetit të Nënë Terezës, për t’i përkujtuar bashkërisht. Për më tepër që në ditën e pranimit të “Nobelit” Nënë Tereza qe shprehur shqip dhe me shkrim me mirënjohje për popullin e vet, për atë popull që ia kishte mbyllur portat:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që pagjja e tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutem shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Tereza – Bojaxhiu”.

E thënë më shkurt, Nënë Tereza u kujtua të përdorte gjuhën amtare dhe të lutej për “fukarenjtë e vet”, popullin shqiptar, në ditët që priste dorëzimin e çmimit “Nobel”, kurse shqiptarët e sotëm, megjithëse kanë një ditë feste dhe pushimi në kushtim të veprës së saj, mëshirën dhe humanizmin ia përmendin, por “Nobelin” harrojnë t’ia kujtojnë, në mos për tjetër për të treguar para botës se dhe shqiptarët kanë nobelistë, siç kanë grekë, serbë, bullgarë, rumunë, sllovenë e kroatë; fqinjët e afërt dhe popuj të largët.

Me sa duket, shqiptarët kanë një farë problemi të brendshëm me Nobelin. Më shumë shqetësohen për çka nuk është kryer, se për atë që është arritur. Prej vitesh, tetori i çmimeve “Nobel” vjen me njëfarë ankthi dhe njëherësh harrimi ndaj të tjerëve. Harrim ndaj faktit që, bie fjala, At Gjergj Fishta është shkrimtari i parë shqiptar që i është propozuar Akademisë së Nobelit për dhënien e këtij nderimi.

Po cilat mund të jenë paragjykimet e shqiptarëve, apo më saktë problemi i tyre me “Nobelin”?

Nuk ka dyshim se njëri prej tyre është i lidhur me hierarkinë e fushave. Që do të thotë se ne e duam “Nobelin” o në letërsi o s’ka. “Nobeli” në shkencat natyrore, në shkencat humane, në misionet e larta të njerëzimit, mirë të jetë, por dhe ndonjë e keqe e madhe nuk është po të mos jetë. Dhe pastaj, kur njëri “Nobel” çmohet më shumë a më pak se tjetri, përfundimi është krejt i qartë: juria e “Nobelit” manipulohet, bën gjeopolitikë, madje bën dhe politikë racore, gjuhësore etj.

Paragjykimi i dytë lidhet me sa duket me raportet midis nderimeve kishtare apo fetare, në përgjithësi me nderimet laike dhe shekullare. Shqiptarëve u sheh syri te Nënë Tereza shenjtoren dhe jo edhe nobelisten. Dhe kjo e ka një shpjegim, për shkak të mungesës së lirisë së besimit për një kohë të gjatë. Dhe kështu krijohet sërish standardi i dyfishtë: lumnimi errëson misionaren e paqes botërore, e renditur krahas emrash të tillë të mëdhenj si: Shimon Perez, Mikhail Gorbaçov, Jaser Arafat, Al Gore dhe të tjerë, fitues të “Nobelit” me të njëjtin titull: paqen botërore.

Paragjykimi i tretë lidhet ndoshta me karakterin heterogjen të shqiptarëve në pikëpamje të fesë, apo, më saktë, me eurocentrizmin e tyre masiv. Me fjalë të hapura: një shqiptar nobelist që vjen prej një besimi perëndimor është Nobelist i vërtetë, por një shqiptar nobelist që vjen prej një besimi lindor nuk është tamam i tillë. Në fakt, “Nobeli” vetë nuk e bën këtë dallim.

Paragjykimi i fundmë është i lidhur me raportet individ-bashkësi. Shqiptarët dolën të tmerruar nga shoqëria e kolektivizimit. Dhe refuzimi i asaj mënyre të jetuari bën që vetëdija e tyre të harrojnë disa fakte mahnitëse, njërin prej të cilëve e përmendi ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers II. Në një intervistë të fundme të tij për publikun shqiptar, duke evokuar humanizmin e popullit të qytetit të Kukësit në vitin 1999, kur në një mjedis të gatshëm për 30 mijë banorë priti 300 mijë të shpërngulur nga Kosova pa kërkuar kurrfarë asistence nga shteti dhe bota, ai tha se ky qytet iu propozua “Nobelit” për çmimin e humanizmit. Withers shpjegoi më tej se nuk dihet ndonjë rast tjetër që një qytet i tërë të jetë propozuar njëherësh për çmimin “Nobel”, veç Kukësit. Por kush e kujton këtë propozim kaq dinjitoz për Kukësin? Heshtje, për të mos shkuar më tej, hijes së rëndë që lëshojnë malet e larta të qytetit verilindor dhe karakterit të ashpër të banorëve të krahinës. Këtu në Tiranë për “Nobelin” diskutohet dhe përbën vlerë vetëm kur i jepet një individi. Bashkësia ka vdekur tashmë bashkë me komunizmin. Nisma e atij viti traumatik për shqiptarët duhet të ketë qenë diçka thjesht emocionale…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA